Botë

Bideni thotë se e ka paralajmëruar Netanyahun për rrezikun e ngecjes në Gaza

Benjamin Netanyahu dhe Joe Biden

Benjamin Netanyahu dhe Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se e ka paralajmëruar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu për rrezikun e ngecjes në Gaza, duke tërhequr paralele me përvojën amerikane në Afganistan dhe Irak.

“I kam thënë Bibit, ‘Mos e bëj gabimin që e kemi bërë ne në Amerikë. Ne donim ta kapnim bin Ladenin. Ne do të ndihmojmë për ta kapur Sinwarin’” ka thënë Bideni gjatë një interviste për CNN-in të mërkurën, duke iu referuar liderit të Hamasit në Gaza.

“Kishte kuptim ta kapnim bin Ladenin, nuk kishte kuptim të mundoheshim për ta bashkuar Afganistanin. Nuk kishte kuptim për mendimin tim të angazhohesha në mendimin se në Irak kishin armë bërthamore”, është shprehur Bideni.

Konflikti në Lindjen e Mesme ka konsumuar shumë prej kohës së Bidenit në muajt e fundit.

Mbështetja e fortë që ka dhënë për Izraelin, ka nxitur protesta dhe zemërim, përfshirë protestat në kampuset universitare dhe në ngjarjet e tij.

I pyetur rreth demonstratave, Bideni është shprehur se “e dëgjon mesazhin”.

Por ai ka paralajmëruar kundër protestave që kalojnë në gjuhë të urrejtjes dhe antisemitizëm.

“Është e drejta legjitime për liri të shprehjes dhe për të protestuar. Është e drejta legjitime për ta bërë këtë. Por nuk ekziston e drejta për të përdorur gjuhë të urrejtjes. Nuk ekziston e drejta për t’i kërcënuar studentët hebre. Nuk ekziston e drejta për t’i bllokuar njerëzit që të hyjnë në klasë. Kjo është kundër ligjit”, është shprehur Bideni.

LEXO EDHE: