Botë

Bideni thërret SHBA-në për një betejë të re superfuqish

Konkurrenca me Kinën dhe frenimi i Rusisë ishin në theks të thirrjes së Bidenit për veprim. Por, vetë thirrja për një betejë të re “demokraci karshi autokracisë” e tejthjeshtëson atë që paraqitet në shtegun përpara

Presidenti Joe Biden e ka justifikuar vizionin e tij të gjerë për ringjalljen e ekonomisë si një hap të domosdoshëm për mbijetesë në konkurrencën e kahershme me Kinën, një garë kjo në të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të dëshmojnë jo vetëm se demokracitë mund t’i shpëtojnë, por edhe t’i shtypin edhe shtetet më të suksesshme autoritare në botë.

E përditshmja amerikane “New York Times”, në një analizë për fjalimin e presidentit para Kongresit, ka shkruar se adresimi ishte dominuar nga tema e përsëritjes së garës së Luftës së Ftohtë – në aspektin më shumë teknologjik sesa ushtarak – pa e përmendur specifikisht termin “Luftë e Ftohtë”.

“Kundërshtarët e Bidenit janë duke shikuar polarizimin e thellë të Amerikës dhe sulmin e 6 janarin mbi Capitolin si dëshmi se dielli po perëndon në demokracinë amerikane”, ka thënë Bideni. “Ne duhet të dëshmojmë se demokracia ende funksionon”, ka shtuar ai, duke e përsëritur thirrjen që e kishte përdorur një muaj më herët.

E gjithë kjo, sipas “NYT”, ishte përpjekje e Bidenit për t’i lartësuar planet e tij infrastrukturore, pak a shumë siç John F. Kennedy kishte bërë në fjalimin e tij “zgjedhim që të shkojmë në hënë”, afro gjashtë dekada më parë. “Por, historia e përpjekjeve më të fundit të presidentëve amerikanë për ta ringjallur këtë emocion unifikues kombëtar është e përzier, në rastin më të mirë; Barack Obama kishte tentuar ta bënte ketë në thirrjen e tij për ta jetësuar “momentin Sputnik të gjeneratës sonë” gjatë adresimit të tij para kombit 10 vjet më parë. Ngeli në rrafsh”, ka shkruar gazeta amerikane.

Tani e një dekadë pas kësaj, sfida është edhe më komplekse: SHBA-ja tani ballafaqohet me një konkurrues larg më të aftë teknologjikisht, me përplasje shumë më të ndërlikuara ushtarake dhe një konflikt më të zymtë ideologjik.

“Ndodhemi në një moment të ndryshimit të madh në histori”, ka thënë Bideni. Në fakt, ai është duke u përballur me marrëdhëniet më të rënda në dy dekadat e fundit me çdo superfuqi të mundshme kundërshtare që po mundohet t’i shfrytëzojë ndasitë tejet të dukshme të Amerikës. Andaj, ka shkruar “NYT”, ai po mundohet që ta krijojë vrullin që vendi të konkurrojë me fuqinë në ngritje të Kinës, teksa njëherësh e mban të frenuar Rusinë përçarëse.

Nëse arrin ta përmbushë një gjë të tillë, atëherë kjo e arritur do të mund ta definonte presidencën e tij.

Xi Jinping, presidenti i Kinës të cilin Bideni e kishte njohur qysh një dekadë më parë, është “goxha i nxehtë që ta bëjë Kinën vendin më të rëndësishëm në botë”, ka argumentuar Bideni. Dhe ka shtuar se Xi bashkë me Vladimir Putinin e Rusisë, të cilët po e krijojnë një aleancë të tyre për ta sfiduar SHBA-në, janë mes atyre “që mendojnë se demokracia nuk mund t’u bëjë konkurrencë autokracive të shekullit 21, ngase i duhet shumë kohë për të bërë konsensus”.

Ajo çfarë bëhet e qartë nga muajt e parë të Bidenit në detyrë – dhe nga fjalimi i së enjtes – është se ai po ndjek strategji krejtësisht të ndryshme për Kinën dhe Rusinë.

“Ai qartazi po e sheh Xinë si një konkurrent të denjë, i cili do ta shtrëngojë Amerikën që ta çojë më lart lojën e saj”, ka shkruar e përditshmja amerikane.

Për dallim prej Xisë, Bideni e sheh Putinin e Rusisë si një fuqi në rënie, kapaciteti i vetëm real i të cilit është që të veprojë si përçarës. Kjo gjë është spikatur qartë në fjalimin e tij. Teksa nuk e ka përsëritur referencën e tij për Putinin si “vrasës”, ai është përqendruar në sanksionet e fundit ndaj vendit të tij.

Ndërkaq, qëndrimet në Kongres i reflektuan deklarimet e tij para afro 40 liderëve botërorë kohë më parë.

“E kam bërë të qartë se Amerika është rikthyer”, ka thënë ai. “Dhe e dini se çfarë thonë? Komentet që i dëgjoj më së shpeshti prej gjithë atyre janë: ‘Po e shohim se Amerika është rikthyer, por për sa kohë? Por, për sa kohë?”