Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është tërhequr nga gara presidenciale, pas kritikave nga aleatët e partisë së tij, të cilët humbën besimin në aftësinë e tij për të mposhtur, kandidatin republikan, ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Biden e ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetin social “X”. Ai ka thënë se do të shërbejë si president i vendit dhe Komandant i Përgjithshëm deri në fund të mandatit të tij, në janar të 2025-s. Ka bërë po ashtu të ditur se do t’i drejtohet kombit këtë javë.
"Sot, Amerika ka ekonominë më të fortë në botë. Ne kemi bërë investime historike në rindërtimin e kombit tonë, në uljen e kostove të barnave për të moshuarit dhe në zgjerimin e kujdesit shëndetësor të përballueshëm për një numër rekord...E di që asnjë nga këto nuk mund të ishte bërë pa ju, populli amerikan. Së bashku tejkaluam një pandemi një herë në shekull dhe krizën më të keqe ekonomike që nga Depresioni i madh. Kemi mbrojtur dhe ruajtur demokracinë tonë. I kemi rigjallëruar dhe forcuar aleancat tona në mbarë botën. Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Derisa synim i imi ka qenë të kërkoj rizgjedhje, besoj se është në interesin më të volitshëm të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si president për pjesën e mbetur të mandatit tim”, thuhet në letrën e Bidenit.
Me këtë vendim, presidenti amerikan i ka hapur rrugën zëvendëspresidentes, Kamala Harris, për të kandiduar nga radhët e demokratëve për garën presidenciale, raporton “Reuters”.
Bideni është shprehur se e mbështet për kandidate Kamala Harris.
“Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e nominuara e partisë sonë. Demokratë, është koha të mblidhemi dhe të mundim Trumpin”, ka thënë Biden.
Njoftimi i Bidenit vjen pas një vale të presionit publik dhe privat nga ligjëvënësit demokratë dhe zyrtarë të partisë, të ushtruar ndaj tij, pas performancës së dobët të presidentit në debatin televiziv kundër rivalit republikan, Donald Trump.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më 5 nëntor.
Shtëpia e Bardhë: Bideni do ta përfundojë mandatin
Shtëpia e Bardhë ka reaguar ndaj thirrjeve që u bënë të dielën duke kërkuar që Joe Biden të dorëhiqet edhe nga posti i presidentit.
Ky institucion ka thënë se Bideni do ta përfundojë mandatin e tij presidencial, derisa i përmendi disa prej punëve që ai i bëri gjatë qeverisjes.
“Presidenti Biden trashëgoi një ekonomi në rënie të lirë, një shkallë të lartë të krimit të dhunshëm dhe aleanca të shkatërruara nga paraardhësi i tij. Ai (Bideni) e ktheu atë për t’i dhënë një rritje më të fuqishme ekonomike në botë dhe shkallën më të ulët të krimit të dhunshëm në gati 50 vjet, duke e bërë NATO-n më të madhe se kurrë. Ai mezi pret të përfundojë mandatin e tij dhe të japë rezultate më historike për popullin amerikan”, ka deklaruar për CNN zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates.
Ai ka potencuar se Bideni, ndonëse u tërhoq nga gara për t’u rizgjedhur në krye të SHBA-së, do të vazhdojë luftën për t’i mbrojtur liritë e amerikanëve “nga ndalimet radikale të abortit dhe sulmet ndaj shtetit të se drejtës”.
Harris: Synimi im është të fitoj nominimin
Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka deklaruar se është e nderuar që ka marrë miratimin e presidentit Joe Biden si kandidate për presidente.
Ajo është shprehur se synon ta fitojë edhe nominimin e demokratëve.
“Jam e nderuar që kam miratimin e presidentit dhe synimi është të fitoj këtë nominim”, ka deklaruar ajo, ka raportuar CNN.
Obama: Bideni, ndër presidentët më të rëndësishëm të SHBA-së
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, e ka quajtur patriot të rendit të lartë, presidentin Joe Biden, duke thënë se ai ka qenë ndër presidentët më të rëndësishëm të Amerikës.
TheGuardian ka raportuar të dielën se Obama është shprehur se largimi i Bidenit nga gara presidenciale “nënkupton testament dashurie për vendin dhe një shembull historik i një nëpunësi të vërtetë që vë edhe një herë interesat e popullit amerikan para interesave të tij”.
Ai nuk e ka komentuar mundësinë që zëvendëspresidentja Kamala Harris të jetë kandidate e demokratëve për zgjedhjet në nëntor, por ka thënë se kjo “parti do të lundrojë në ujëra të paeksploruara”.
“Kam besim të jashtëzakonshëm se liderët e partisë sonë do të jenë në gjendje të krijojnë një proces nga i cili do të dalë një kandidat i shquar”, është shprehur Obama.
Bill e Hillary Clinton mbështesin Harrisin
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, thanë se e mbështesin Kamala Harrisin për kandidate për presidente të SHBA-së.
“Ne jemi të nderuar t'i bashkohemi presidentit në miratimin e zëvendëspresidentes, Kamala Harris, dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur atë”, thuhet në një deklarim të përbashkët.
Senatori i pavarur, Bernie Sanders, pati fjalë të mira për presidentin amerikan, Joe Biden, pasi ai u tërhoq nga gara presidenciale.
Sanders shkroi në rrjetin social “X” se Bideni u ka shërbyer me dinjitet Shteteve të Bashkuara.
“Joe Biden i ka shërbyer vendit tonë me nder dhe dinjitet. Si presidenti i parë që ka ecur ndonjëherë në një linjë me punëtorët grevistë, ai ka qenë presidenti më pro-punëtorëve në historinë moderne amerikane. Faleminderit zoti presidenti për gjithçka që keni bërë”, ka deklaruar senatori Sanders.
Bideni mbështet Kamala Harrisin për kandidate në krye të SHBA-së
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, njoftoi se e mbështet fuqishëm Kamala Harrisin si kandidate të demokratëve për presidente të SHBA-së.
Ai i ka ftuar përkrahësit “që të mblidhen dhe të mposhtin Trumpin”, ka raportuar BBC.
“Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e nominuara e partisë sonë. Demokratë, është koha të mblidhemi dhe të mundim Trumpin”, ka thënë Biden pas letrës ku njoftoi tërheqjen nga gara.
Trumpi komenton tërheqjen e Bidenit nga gara
"Joe Biden është presidenti më i keq në histori të SHBA-së", është shprehur Donald Trump, pasi Bideni u tërhoq nga kandidatura për t'u rizgjedhur në krye të SHBA-së.
Derisa ende s'dihet se kush do të jetë kandidati i demokratëve, kandidatëve i republikanëve ka folur për zëvendëspresidenten Kamala Harris. Ai tha se mendon që Harris "do të jetë më lehtë për t'u mposhtur se Biden".
Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka deklaruar se Biden duhet të japë menjëherë dorëheqje edhe nga posti i presidentit të SHBA-së.