Presidenti amerikan Joe Biden pritet të mbajë takim online të mërkurën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, raporton Reuters. Bisedimet do të përfshijnë diskutimin e planeve për ta goditur Iranin, sipas një personi të afërt me këtë çështje.
Lindja e Mesme ka qenë duke e pritur përgjigjen e Izraelit për sulmin me raketa të nisur nga Irani javën e kaluar, i kryer nga Teherani si hakmarrje ndaj përshkallëzimit ushtarak izraelit në Liban. Sulmi iranian nuk ka shkaktuar viktima në Izrael dhe Washingtoni e ka quajtur të pasuksesshëm.
Netanyahu ka premtuar se Irani do të paguajë për sulmin raketor, ndërsa Teherani ka thënë se çdo kundërpërgjigje do të shkaktojë dëme të tjera, duke e rritur frikën për luftë të gjerë në rajonin e prodhimit të naftës, e cila mund ta tërheqë edhe SHBA-në.
Hakmarrja e Izraelit do të jetë subjekti kryesor i thirrjes, me Washingtonin që shpreson të vlerësojë nëse përgjigja është e përshtatshme, tha një person i informuar për diskutimet.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar rreth kësaj çështjeje.
Bideni ka thënë të premten e kaluar se do t’i mendojë alternativat sa i përket goditjes së fushave të naftës iraniane, duke shtuar se mendonte që Izraeli nuk ka arritur në përfundimin se si t’i përgjigjej Iranit. Javën e kaluar, Bideni ka thënë gjithashtu se nuk do ta mbështeste vendimin e Izraelit për t’i goditur objektet bërthamore iraniane.
Izraeli është përballur me thirrje për ta pranuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe Liban nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë, por ka thënë se do t’i vazhdonte operacionet ushtarake derisa izraelitët të jenë të sigurt.
Bideni dhe Netanyahu gjithashtu pritet t’i diskutojnë konfliktet me Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban.
Bideni dhe ndihmësit e tij kanë folur për një telefonatë të mundshme me Netanyahun që nga fundi i shtatorit. Do të ishin bisedimet e tyre të para publike që nga gushti, mes një përshkallëzimi të mprehtë të konfliktit, si me Hezbollahun ashtu edhe me Iranin.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mbështesin Izraelin në sulmin ndaj objektivave.
Por Izraeli dhe Netanyahu në veçanti janë përballur me akuza e kritika për rreth 42 mijë palestinezët e vrarë në luftën e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze, dhe vdekjen e mbi 2000 njerëzve në Liban.
Bideni dhe Netanyahu kanë pasur mosmarrëveshje për zhvillimin e luftës në muajt e fundit.