Botë

Bideni po i bën presion Zelenskyt që ta ulë moshën e rekrutimit në 18 vjeç

Joe Biden, Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

SHBA-ja po i kërkon Ukrainës që të rrisë shpejt përmasat e ushtrisë së saj duke zgjeruar numrin e trupave me uljen e moshës së rekrutimit në 18 vjeç, ka thënë një zyrtar i lartë në administratën e Joe Bidenit.

Zyrtari i cili ka folur në kushte anonimiteti për AP ka thënë të mërkurën se administrata demokratike në largim dëshiron që Ukraina ta ulë moshën e mobilizimit nga 25 vjeç në 18, për të ndihmuar në zgjerimin e grupit të burrave në moshë luftarake në dispozicion.

Ndërkohë administrata Biden po përgatit një tjetër paketë armësh urgjente për Ukrainën, këtë herë me vlerë 725 milionë dollarë, kanë thënë të mërkurën dy zyrtarë amerikanë. 

Paketa parashikohet të përfshijë mina tokësore, dronë, raketa anti-ajrore Stinger dhe municione Himars. 

Njoftimi zyrtar në Kongres për paketën e armëve mund të bëhet të hënën, ka thënë një zyrtar.