Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka njoftuar të hënën për ndarjen e 2.5 miliardë dollarëve ndihmë shtesë për Ukrainën.
Bideni ka thënë se do ta vazhdojë mbështetjen për Ukrainën deri në fund të detyrës së tij, e cila do t’i kalojë presidentit të ardhshëm, Donald Trump, më 20 janar.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë pa pushim për të forcuar pozicionin e Ukrainës në këtë luftë gjatë pjesës së mbetur të kohës sime në detyrë”, ka thënë Bideni në një deklaratë, raporton Reuters.
Pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet kufirit trevjeçar dhe së fundmi rusët po përdorin trupat e Koresë së Veriut për të forcuar pozicionin e tyre luftarak.
Mirëpo forcat e Koresë së Veriut po përjetojnë viktima masive në vijën e parë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, me 1000 trupa të tyre të vrarë ose të plagosur vetëm gjatë javës së fundit në rajonin Kursk të Rusisë, u ka thënë gazetarëve të premten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Gati tre vjet pas luftës, Washingtoni ka dhënë 175 miliardë dollarë ndihmë totale për Ukrainën, por është e pasigurt nëse ndihma do të vazhdojë me këtë ritëm nën drejtimin e Trumpit.