Botë

Bideni niset për në Gjermani për të diskutuar për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Joe Biden, është nisur të enjten për në Berlin, për një vizitë të shpejtë, ku do të diskutohet pushtimi rus i Ukrainës me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, teksa Ukraina po u kërkon aleatëve të ndërmarrin hapa të shpejtë për t’i dhënë fund luftës.

Konflikti që po zgjerohet me shpejtësi në Lindjen e Mesme pritet gjithashtu të jetë në krye të agjendës në bisedimet mes liderëve pasi përpjekjet diplomatike për të ndalur luftimet kanë ngecur, raporton Reuters.

Bideni fillimisht ishte planifikuar të mblidhte një takim më të gjerë të mbështetësve ushtarakë të Ukrainës në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani javën e kaluar gjatë një vizite të planifikuar shtetërore tri-ditore në vend, e cila do të ishte e para në gati 40 vjet.

Por ai e ka anuluar atë udhëtim për t'u fokusuar në trajtimin e sulmeve dhe pasojave nga uragani Milton, që goditi kryesisht rajonin e Floridas.

Presidenti pritet të arrijë në Berlin të enjten në mbrëmje dhe do të zhvillojë bisedime dypalëshe të premten në mëngjes me presidentin dhe kancelarin e Gjermanisë, përpara një takimi edhe me liderë të tjerë evropianë.

Biden ka pasur një marrëdhënie të ngushtë pune me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe udhëtimi shihet pjesërisht si një shenjë e këtij partneriteti përpara se presidenti të largohet nga detyra në janar.

Udhëtimi i tij vjen pak pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi kryeqytetet perëndimore për të paraqitur "planin e tij të fitores" për t'i dhënë fund pushtimit prej më shumë se dy vjet e gjysmë të Rusisë, ndërsa forcat e Moskës përparojnë në lindje dhe po afrohet një dimër i zymtë me ndërprerje të energjisë.