Ndërsa ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se gjatë fazës së parë Izraeli do të negociojë aranzhimet e nevojshme për fazën e dytë – “përfundimit të përhershëm të luftës”.
Nëse negociatat marrin më shumë kohë se gjashtë javë, atëherë armëpushimi do të vazhdojë aq kohë sa vazhdojnë edhe negociatat, ka theksuar ai.
Faza e dytë do të lejojë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura, përfshirë ushtarët. Po ashtu, në këtë fazë, sipas Bidenit, parashihet që të gjitha forcat izraelite të tërhiqen nga Gaza dhe që armëpushimi i përkohshëm të bëhet i përhershëm, raportoi Guardian.
“Sot, pas shumë muajsh diplomacie nga SHBA-ja bashkë me Egjiptin dhe Katarin, Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për armëpushim dhe pengje”, ka thënë ai.
Bideni ka shtuar se faza e tretë e marrëveshjes do të përfshijë kthimin e mbetjeve të pengjeve që janë vrarë në Gaza te familjet e tyre.
Një plan i madh rindërtimi për Gazën do të fillojë në fazën e tretë, ka thënë ai tutje.
“Rruga për këtë marrëveshje nuk ka qenë e lehtë. Këto ishin nga negociatat më të vështira që kam përjetuar ndonjëherë”, ka theksuar Biden.
“Populli palestinez ka kaluar përmes ferrit. Shumë njerëz të pafajshëm kanë vdekur. Shumë komunitete janë shkatërruar. Me këtë marrëveshje, populli i Gazës më në fund mund të rindërtohet. Ata mund ta shohin një të ardhme pa Hamasin”, është shprehur ai.
Biden është pyetur se sa ka merita administrata në ardhje e Trumpit për këtë marrëveshje. E ai është përgjigjur se “kjo është korniza e marrëveshjes që pata propozuar në maj. Saktësisht”.