Për një njeri që premtoi një dorë të qëndrueshme pas katër vjetëve të politikës së jashtme, ndonjëherë të trazuar të Donald Trumpit, lufta e Gazës është dëshmuar të jetë një sfidë e frikshme - dhe potencialisht e rëndë - për fatin e tij politik
SHBA-ja ka një objektiv të ri diplomatik në luftën e Gazës - ta bindë Izraelin që të zvogëlojë numrin e operacioneve të tij ushtarake në javët e ardhshme. Ky është një test vendimtar i administratës Biden dhe nëse do të ketë sukses mund të ndihmojë në përcaktimin e fazës së ardhshme të luftës - si dhe të fatit politik të presidentit të SHBA-së.
Në publik, përpjekja amerikane për të formësuar dhe frenuar luftën e Izraelit ka marrë formën e këshillës dhe jo të presionit.
Zyrtarët amerikanë - nga Bideni e deri te sekretari i shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin - kanë pohuar vazhdimisht atë, që ata e paraqesin, si të drejtën e vetëmbrojtjes së Izraelit dhe kanë deklaruar se një operacion ushtarak që nuk e largon Hamasin nga pushteti, do të garantonte vetëm më shumë sulme.
Derisa konflikti vazhdon, ata gjithashtu janë bërë më të sinqertë për nevojën për të mbrojtur civilët, duke paralajmëruar se mosbërja e kësaj do të çonte në një “disfatë strategjike” për Izraelin.
Pjesa më e madhe e botës e sheh këtë qasje si të dështuar, sa i përket zbutjes së fushatës së pamëshirshme të bombardimit, që renditet ndër më vdekjeprurëset dhe më shkatërrueset e këtij shekulli.
Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se strategjia e tyre ka qenë mënyra më efektive për administratën, për të ndikuar në një Izrael të traumatizuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit.
Megjithatë, politika amerikane që nga ajo ditë ka thyer Partinë Demokratike të Joe Bidenit. Ai ka humbur mbështetjen e tij midis të rinjve dhe arabo-amerikanëve dhe e ka lënë SHBA-në të duket si e izoluar në skenën botërore.
Deri më tani, qasja e presidentit Biden ka arritur rezultate të dukshme, ndonëse të kufizuara.
Diplomacia këmbëngulëse dhe e përpiktë hapi rrugën për të lejuar kalimin e disa ndihmave humanitare në Gaza që në fillim të luftës dhe ndihmoi ndërmjetësimin e një armëpushimi shtatë-ditor për të inkurajuar lirimin e pengjeve dhe dhënien e më shumë ndihmave për civilët e dëshpëruar.
Amerikanët sigurisht që kanë qenë shumë të përfshirë. Një rrjedhë e vazhdueshme e zyrtarëve të lartë në rajon, nënkupton që dikush ka qenë në vend shumicën e kohës, duke bërë biseda të vështira ballë për ballë.
Secila nga tri vizitat e Blinkenit në rajon ka qenë një vorbull aktiviteti dhe ai ka qenë i prirë të nxjerrë në pah përpjekjet e vazhdueshme amerikane për të liruar pengjet, për të rritur kalimin e ndihmës humanitare dhe për të siguruar që konflikti të mos zgjerohet për të konsumuar të gjithë Lindjen e Mesme.
Përparimi në mbrojtjen e civilëve ka qenë i vështirë për t’u dalluar. Këtë javë numri i të vdekurve në Gaza ka kaluar 20 mijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të drejtuar nga Hamasi. Si pasojë e sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, rreth 1.200 njerëz u vranë, kryesisht civilë, dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.
Pavarësisht garancive të fituara se Izraeli do të ndërmerrte hapa për ta bërë këtë, Blinkeni ka folur për “hendekun” midis qëllimit dhe rezultateve.
Pra, janari do të jetë një test vendimtar mbi atë nëse administrata do mund ta bindë Izraelin të ndryshojë dinamikën e luftës. Ajo po i shtyn izraelitët të “deintensifikojnë” operacionet ushtarake në Gaza dhe të kalojnë në taktika më të synuara që prodhojnë më pak viktima civile sesa fushata e drejtuar nga bombardimet dhe artileria.
Është një kërkesë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e ka miratuar publikisht, megjithëse ministri i tij i mbrojtjes ka folur për kalimin e luftës në faza të ndryshme.
Kritikët e strategjisë amerikane thonë se SHBA-ja ka qenë aq e kujdesshme saqë është efektivisht bashkëpunëtore në luftën e Izraelit. Ata thonë se duhet t’i kishte bërë thirrje më fort Izraelit që të kufizonte fushatën ushtarake joproporcionale dhe të përdorte kërcënimin për të ndaluar ose vendosur kushte për sasi masive të ndihmës ushtarake amerikane.
Por Aaron David Miller, i cili punoi si këshilltar për Lindjen e Mesme në Departamentin e Shtetit për rreth 25 vjet, nuk mendon se SHBA-ja mund të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të ndryshuar politikën e tij.
“Dinamika e fushëbetejës është përtej aftësisë sonë për të kontrolluar, e lëre më për të mikromenaxhuar”, thotë ai.
Miller, i cili tani është anëtar i lartë në Institutin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, thotë se historia tregon se Izraeli i është përgjigjur rasteve të rralla të presionit të SHBA-së, vetëm kur kërkesat amerikane janë të lidhura me një rezultat që ata mund ta pranojnë.
“Presioni ndaj izraelitëve për një çështje me rëndësi kritike për ta, pa ofruar një alternativë bindëse ose një rezultat që ata mund të racionalizojnë dhe justifikojnë, nuk funksionon kurrë”, thotë ai.
Është e paqartë nëse strategjia e “përqafimit të ariut”, për të mbështetur publikisht Izraelin, do të jetë e mjaftueshme për t’i tërhequr izraelitët përtej frontit kur bëhet fjalë për zvogëlimin e fushatës ushtarake.
Ndërkohë amerikanët po përballen me izolimin ndërkombëtar në rritje.

Kjo nuk është askund më e dukshme se sa në Kombet e Bashkuara, ku SHBA-ja ka kundërshtuar kërkesat dërrmuese për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.
Administrata nuk dëshiron asnjë sugjerim për një armëpushim që do të kufizonte aftësinë e Izraelit për të shkatërruar udhëheqjen dhe aftësinë ushtarake të Hamasit.
Partnerët arabë të SHBA-së janë të alarmuar nga efekti radikalizues i shkatërrimit të Gazës nga Izraeli.
“Izraeli po e rrezikon pozitën e Shteteve të Bashkuara dhe miqve tanë perëndimorë në rajonin tonë”, tha Ministri i Jashtëm jordanez, Ayman Safadi, në një udhëtim të fundit në Washington.
“Nuk është vetëm vrasja e palestinezëve, por po krijon gjithashtu një mjedis në rajon ku sasia e urrejtjes që po rritet nga dita në ditë, si rezultat i asaj që shohim të shpaloset në Gaza, po zhbën 30 vjet punë që ne të gjithë kemi investuar, për të normalizuar idenë e paqes”, shtoi ai.
Blinkeni ka theksuar se komuniteti rajonal dhe ndërkombëtar duhet gjithashtu të bëjnë presion ndaj Hamasit që të dorëzojë armët dhe të ndalojë “fshehjen pas civilëve”.
Por në një ngjarje për mbledhjen e fondeve javën e kaluar, presidenti Biden duket se pranoi disa nga zhgënjimet e brendshme të administratës.
“Izraeli ka mbështetjen e shumicës së botës”, tha presidenti. “Por ata kanë filluar ta humbin atë mbështetje nga bombardimet që po ndodhin pa dallim”.
Bideni po përballet gjithashtu me një presion të brendshëm në rritje për të qenë më i ashpër kundër Izraelit. Në një sondazh të opinionit publik të “New York Times” këtë javë, vetëm 33% e votuesve të regjistruar amerikanë miratuan trajtimin e presidentit ndaj konfliktit izraelito-palestinez. Një shumicë, 44% deri në 39%, thanë se Izraeli duhet t’i japë fund fushatës së tij ushtarake.

Ka pasur mospajtime edhe brenda vetë administratës Biden. Më shumë se 800 anëtarë të stafit kanë mbështetur një dokument që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, megjithëse shumica e kanë bërë këtë në mënyrë anonime dhe vetëm një ka dhënë dorëheqjen.
Shumë liderë botërorë, një numër i konsiderueshëm personash të brendshëm të administratës dhe rreth gjysma e publikut amerikan janë gjithnjë e më të pakënaqur me strategjinë aktuale të SHBA-së.
Por nëse presidenti fillon të bëhet më i ashpër me izraelitët, gjysma tjetër e amerikanëve që mbështesin Izraelin pothuajse me siguri do të kundërshtojnë - dhe nuk ka ende asnjë garanci që kritikët e tij aktualë do të jenë të kënaqur.
Zvogëlimi i ofensivës izraelite është thelbësore. Nëse kjo nuk ndodh shpejt, Bideni do të duhet të shqyrtojë seriozisht hapin e tij të ardhshëm.
Sidomos pasi kalendari së shpejti do të shënojë vitin 2024 - viti i fundit i mandatit të tij të parë presidencial. Politika e brendshme, gjithmonë një faktor në politikën e jashtme të SHBA-së, do të bëhet gjithnjë e më shumë një shqetësim urgjent për presidentin.
Për një njeri që premtoi një dorë të qëndrueshme pas katër vjetëve të politikës së jashtme ndonjëherë të trazuar të Donald Trumpit, lufta e Gazës është dëshmuar të jetë një sfidë e frikshme - dhe potencialisht e rëndë - për fatin e tij politik. (Përktheu: Forca Jashari)