Presidenti amerikan Joe Biden do të presë të mërkurën presidentin e sapozgjedhur, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për një takim ku do të demonstrohet një tranzicion i qetë midis administratave, pavarësisht se ekipi i Trumpit nuk ka nënshkruar ende dokumente për të filluar procesin e dorëzimit.
Biden, i cili fillimisht kandidoi kundër Trumpit në zgjedhjet e këtij viti, para se të largohej dhe të miratonte zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidate demokrate, do të mirëpresë ish-presidentin dhe presidentin e ardhshëm në Zyrën Ovale, një mirësjellje tradicionale nga presidentët në largim që republikani Trump nuk e bëri kur Bideni i fitoi zgjedhjet në vitin 2020, raporton Reuters.
"Ai beson në normat, ai beson në institucionin tonë, ai beson në transferimin paqësor të pushtetit," u ka thënë gazetarëve të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, në lidhje me vendimin e Bidenit për të ftuar Trump.
Biden dhe Trump kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin për vite me radhë dhe ekipet e tyre përkatëse mbajnë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat.
Bideni, 81 vjeç, e ka portretizuar Trumpin si një kërcënim për demokracinë, ndërsa Trumpi, 78 vjeç, e ka portretizuar Bidenin si të paaftë.
Trumpi bëri pretendime të rreme për mashtrim të gjerë në zgjedhjet e vitit 2020.
Udhëtimi i Trump në Washington pritet të përfshijë një takim me ligjvënësit republikanë dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson në mëngjes përpara se presidenti aktual dhe ai i ardhshëm të takohen në orën 11:00 sipas kohës lokale.
Trumpi thotë se tranzicioni i pushtetit do të jetë "sa më i qetë që mundet"
Presidenti i sapozgjedhur Trump i ka thënë Bidenit se politika është "e ashpër" përpara se ta falënderojë atë për një tranzicion të qetë.
"Unë e vlerësoj shumë një tranzicion që është kaq i qetë, do të jetë i qetë aq sa mund të bëhet", ka deklaruar Trump gjatë takimit me Bidenin në Zyrën Ovale të mërkurën, raporton BBC.
Trumpi ka thënë gjatë takimit se "politika është e ashpër".
"Dhe në shumë raste nuk është një botë e bukur. Por është një botë e bukur sot”, ka thënë Trumpi.
Ndërkohë, Zonja e parë, Jill Biden i është bashkuar bashkëshortit të saj, presidentit, Biden në pritjen e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Jill Biden i kishte bërë një ftesë ish-zonjës së parë Melania Trump për takimin tradicional të zonjave të para që vijnë dhe largohen, por Melania Trump e ka refuzuar atë, teksa burimet thanë se ajo pati një angazhim të planifikuar më parë në lidhje me librin e saj.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Jill Biden “i dha Trumpit një letër urimi me shkrim dore për zonjën Trump, e cila shprehte gjithashtu gatishmërinë e ekipit të saj për të ndihmuar në tranzicionin”.
Trumpi arrin në Shtëpinë e Bardhë, takohet me Bidenin
Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump ka mbërritur të mërkurën në mëngjes sipas kohës lokale, në Shtëpinë e Bardhë, për t'u takuar me presidentin Joe Biden.
Ai kthehet në Zyrën Ovale në rrethana shumë të ndryshuara, duke u kënaqur me kthimin e tij në pushtet.
Trump në Washington, feston fitoren në mesin e ligjvënësve republikanë
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, është pritur me ovacione nga kolegët e tij republikanë në Washington sot, raporton "BBC". Ai ka folur para ligjvënësve republikanë.
“Është mirë të fitosh. Është gjithmonë bukur të fitosh”, ka thënë Trump.
Ai më pas hyri në detaje rreth fitores së tij “historike”, duke shtuar se ka marrë 7.1 milionë vota më tepër se kundërkandidatja Kamala Harris dhe i ka fituar të shtatë shtetet që njihet si “fushëbeteja”, e që zakonisht vendosin fituesin e zgjedhjeve në SHBA.
E kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, e ka quajtur Trumpin një “mbret të rikthimit”.
Trump pas takimit me ligjvënësit republikanë u nis për te Shtëpia e Bardhë.
Ai do të takohet me presidentin në largim Joe Biden. Me të nuk është bashkëshortja Melania Trump.