Administrata e Bidenit është e vendosur në muajt e saj të fundit për të siguruar që Ukraina mund të vazhdojë të luftojë kundër pushtimit të plotë të Rusisë vitin e ardhshëm, duke i dërguar asaj sa më shumë ndihmë që të jetë e mundur në mënyrë që të mbajë forcat ruse në kontroll, ka deklaruar të mërkurën sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken.
“Presidenti Biden është zotuar të sigurohet që çdo dollar që kemi në dispozicion do të dërgohet në Ukrainë nga tani deri më 20 janar”, ka thënë Blinken, dule aluduar në datën kur presidenti i sapozgjedhur Donald Trump do të betohet.
"Vendet e NATO-s duhet t'i përqendrojnë përpjekjet e tyre që të sigurojnë që Ukraina të ketë para, municione dhe forca të mobilizuara për të luftuar në mënyrë efektive në 2025, ose të jetë në gjendje të negociojë një paqe nga një pozicion fuqie", ka thënë Blinken gjatë një vizite në Bruksel.
Lufta pothuajse trevjeçare në Ukrainë nuk ka treguar asnjë shenjë të mbylljes.
Rusia sulmoi kryeqytetin ukrainas Kiev me një kombinim të sofistikuar raketash dhe dronësh për herë të parë në 73 ditë, të mërkurën.
Kjo erdhi një ditë pasi Pentagoni tha se shumica e trupave të Koresë së Veriut të dërguara për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Moskës po luftojnë për të larguar ushtrinë e Ukrainës nga toka ruse në rajonin kufitar Kursk.