Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin kinez, Xi Jinping të martën, duke shënuar bisedën e parë midis liderëve që nga samiti i tyre historik personal në nëntor, dhe më e fundit në përpjekjet e vazhdueshme të zyrtarëve amerikanë dhe kinezë për të zbutur tensionet midis dy superfuqive.
Biseda mes liderëve të dy superfuqive vjen në kohën e turbulencave të rënda globale, luftës në Gaza dhe asaj në Ukrainë, e po ashtu kapaciteteve nukleare të Koresë së Veriut.
Çështje të tjera për të cilat kanë diskutuar Washingtoni dhe Pekini ishin po ashtu Tajvani, provokimet e fundit të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga Pekini, raportoi CNN.
Dy liderët po ashtu raportohet të kenë diskutuar një sërë çështjesh, aty ku zyrtarët amerikanë dhe kinezë shohin mundësi për bashkëpunime mes dy vendeve duke përfshirë luftën kundër narkotikëve, botën me zhvillim të shpejtë të inteligjencës artificiale dhe ndryshimet klimatike.
“Presidenti Biden dhe presidenti Xi do të diskutojnë marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kinë, rëndësinë e vazhdueshme të forcimit të linjave të komunikimit dhe menaxhimit të konkurrencës me përgjegjësi, dhe një sërë çështjesh rajonale dhe globale,” u ka thënë gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës përpara thirrjes.
“Konkurrenca intensive kërkon diplomaci intensive për të menaxhuar tensionet, për të adresuar keqpërceptimet dhe për të parandaluar konfliktet e paqëllimshme, dhe kjo thirrje është një mënyrë për ta bërë këtë”, ka shtuar ai.