Botë

Bideni thotë se kurrë nuk do t’i demonizojë imigrantët

Joe Biden

Joe Biden

Foto: Associated Press

E përditësuar: Presidenti amerikan, Joe Biden, ka zbuluar planet për të miratuar kufizime të menjëhershme të rëndësishme për imigrantët që kërkojnë azil në kufirin SHBA-Meksikë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë të martën, Bideni ka thënë se ai "po kalonte pengesën republikane" dhe po përdorte "autoritetin ekzekutiv në dispozicion si president për të bërë atë që mundem vetë për të adresuar kufirin”.

Urdhri do të hyjë në fuqi kur numri i hyrjeve kufitare midis porteve të arrijë në 2,500 në ditë, sipas zyrtarëve të lartë të administratës. 

Pasi ky urdhër të hyjë në fuqi, imigrantët që mbërrijnë në kufi, do t'i nënshtrohen largimit të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara, brenda disa ditësh apo edhe disa orësh. 

Këta imigrantë do të përballen me dënime që mund të përfshijnë një ndalim pesë-vjeçar nga rihyrja në SHBA, si dhe ndjekje penale të mundshme.

Bideni megjithatë e ka diferencuar veten nga kundërshtari i tij politik, Donald Trump. Gjatë fjalimit, ai ka thënë se kurrë nuk do t'i ndante fëmijët nga familjet e tyre në kufi, një referencë për incidentet që ndodhën nën administratën Trump.

"Statuja e Lirisë nuk është ndonjë relike e historisë amerikane, ajo tregon se kush jemi ne si Shtetet e Bashkuara... Unë kurrë nuk do t'i demonizoj imigrantët. Unë kurrë nuk do t'i referohem emigrantëve si helmues të gjakut të këtij vendi”, është shprehur presidenti amerikan.

Në tetor të vitit 2023, Trumpi kishte deklaruar se imigrantët po "helmonin gjakun e vendit tonë" gjatë një intervistë me gazetën “The National Pulse”.

Dy presidentët kanë qenë shumë kritikë ndaj komenteve të njëri-tjetrit për imigracionin dhe çështja po formohet si tema kryesore për votuesit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.


Bideni del me masa për ta ndalur hyrjen e emigrantëve

Emigrantëve të kapur duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë mund t'u mohohet mundësia për të kërkuar azil dhe mund të deportohen shpejt ose të kthehen në Meksikë, sipas kufizimeve të reja të shpallura të martën, pjesë e një përpjekjeje gjithëpërfshirëse të zbatimit, të presidentit të SHBA-së Joe Biden.

Masat e reja do të hyjnë në fuqi menjëherë dhe do të kenë përjashtime për fëmijët e pashoqëruar, njerëzit që përballen me kërcënime serioze mjekësore, ose të sigurisë, dhe viktimat e trafikimit, sipas një zyrtari të lartë në një telefonatë me gazetarët, raporton Reuters.

Bideni, si një demokrat, ka ashpërsuar qasjen e tij ndaj sigurisë së kufijve, pasi imigracioni është shfaqur si një çështje kryesore për amerikanët në prag të zgjedhjeve të 5 nëntorit, ku ai do të përballet me republikanin, Donald Trump, në një ripërsëritje të garës së vitit 2020.

Kufizimet e reja të azilit nuk janë të përhershme, u ka thënë zyrtari amerikan gazetarëve. Ato aktivizohen kur mesatarja ditore e arrestimeve kufitare arrin në 2,500 gjatë një jave.

Masat parandaluese "do të rrisin ndjeshëm pasojat për ata që kalojnë kufirin jugor në mënyrë të paligjshme", ka deklaruar zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.

Bideni mori detyrën në vitin 2021, duke u zotuar se do të ndryshojë disa nga politikat kufizuese të emigracionit të Trumpit, por u përball me nivele rekord të emigrantëve të kapur duke kaluar ilegalisht, një prirje që ka tensionuar autoritetet kufitare të SHBA-së dhe qytetet që pranojnë të ardhur të rinj. 

Trumpi e ka kritikuar Bidenin për tërheqjen e politikave të tij dhe ka premtuar një goditje të gjerë nëse zgjidhet.

Kufizimet e reja pritet të shkaktojnë sfida ligjore nga grupet e emigrantëve dhe të drejtave civile, të cilët kanë kritikuar Bidenin për miratimin e politikave të ngjashme me Trumpin dhe tërheqjen e detyrimeve ligjore të SHBA-së ndaj azilkërkuesve.