Ai është shpesh mendjemprehtë dhe i fokusuar. Por gjithashtu i ka momentet, kryesisht në mbrëmje, kur mendimet i duken të ngatërruara dhe në mes të fjalisë bllokohet ose duket i hutuar. Ndonjëherë nuk i kap pikat më të rëndësishme të detajeve politike. Herë pas here i harron emrat e njerëzve, jep shikime boshe dhe lëviz ngadalë nëpër dhomë
Qëndrimi i presidentit Joe Biden pas dyerve të mbyllura, në Zyrën Ovale, në Air Force One dhe në takime përreth botës është përshkruar si i njëjtë nga ata që e shohin rregullisht.
Ai është shpesh mendjemprehtë dhe i fokusuar. Por gjithashtu i ka momentet, kryesisht në mbrëmje, kur mendimet i duken të ngatërruara dhe në mes të fjalisë bllokohet ose duket i hutuar. Ndonjëherë nuk i kap pikat më të rëndësishme të detajeve politike. Herë pas here i harron emrat e njerëzve, jep shikime boshe dhe lëviz ngadalë nëpër dhomë.
Problemet e herëpashershme të Bidenit me fokusin nuk janë të pazakonta për dikë të moshës së tij. Por në moshën 81-vjeçare dhe duke synuar katër vjet të tjera në Shtëpinë e Bardhë, momentet kur ai është jashtë loje kanë marrë vëmendje pas performancës katastrofike në debat kundër republikanit Donald Trump. Presidenti dukej i zbehtë, jepte përgjigje të pakuptimta, jepte shikime boshe dhe i humbte rrjedha e mendimeve.
Debati i 27 qershorit i ka alarmuar demokratët dhe përkrahësit e tij financiarë, sepse Bideni është dukur shumë më keq sesa gjatë momenteve gati rutinore kur dukej më pak mendjemprehtë. Dhe kjo ka ngritur pyetje nëse ai është gati për fushatën, e cila do të bëhet më e rëndë dhe nëse ai mund të qeverisë në mënyrë efektive edhe për katër vjet të tjera nëse fiton.
“Ne i kuptojmë shqetësimet. E kuptojmë”, ka thënë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, këtë javë. Por ajo ka insistuar se Bideni nuk e ka në mendje të largohet nga fushata. “Presidenti është në rregull dhe do të qëndrojë në garë”.
Debati ka qenë moment kritik në betejën presidenciale me Joe Bidenit dhe Donald Trumpit për t’i paraqitur premtimet para audiencës kombëtare televizive. Por vëzhguesit e debatit duket se pajtohen se Bideni ka pasur natë të keqe.
Bideni është zotuar se do të vazhdojë të kandidojë për rizgjedhje. Në anën tjetër vazhdon rritja e presionit nga Partia Demokratike për t’u tërhequr, pasi performanca katastrofike në debat me Trumpin ka ngritur pyetje për gatishmërinë e tij. “Askush nuk do më ndalojë”, ka thënë Bideni.
Kamala Harris është duke e mbajtur situatën nën kontroll për Bidenin. Në fushatë, ajo e ka pranuar se Bideni nuk ka dalë mirë, teksa përpiqet t’i qetësojë demokratët e shqetësuar.
Një e ftohur, përgatitja e tepruar, humori jo i mirë dhe avioni: Këto janë arsyet e presidentit Joe Biden për performancën e tij të dobët në debatin e javës së kaluar.
Siç është në jetën private, ashtu edhe në atë publike
Mënyra se si Bideni sillet privatisht, sipas vëzhguesve, është e njëjtë me atë si sillet publikisht. Në të dyja situatat, ai mund të jetë komandues në një ditë dhe një tjetër jo.
Një ditë pas debatit, zëri i Bidenit në një tubim në Karolinën e Veriut ka qenë i forcuar, sytë e alarmuar, e fjalimi i tij i sigurt. Ndërsa fliste, brohoritjet e kanë mbushur hapësirën.
“Jua jap fjalën si Biden. Nuk do të konkurroja përsëri nëse nuk do të besoja me gjithë zemrën dhe shpirtin se mund ta kryej këtë punë”, u ka thënë ai mbështetësve.
Por ndonjëherë, Bideni flet aq butë, saqë është e vështirë të kuptohet edhe kur flet me mikrofon. Gjatë fjalimeve, ai ndalon në mes të fjalisë. Në momente të tjera ai udhëheq audiencën, duke bërë shaka dhe duke u shtrënguar dorën mbështetësve. Ecja e tij është shpesh e ngurtë, por ndonjëherë ai vrapon.
Fjalimi për situatën në Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit është parë si fjalim me vetëbesim dhe i flaktë, që ka treguar se ai ishte gati për betejën kundër Trumpit.
Mundësitë e humbura për ta menaxhuar çështjen
Një person që e kalon kohën me Bidenin rregullisht ka thënë se ka pasur shenja të dukshme të plakjes gjatë vitit të fundit, që ekipi i presidentit ka dështuar për t’i adresuar. Performanca e debatit i ka rritur shqetësimet për këtë problem, edhe nëse Bideni ka ofruar garanci se ai ende mund të qeverisë në mënyrë efektive.
Këshilluesit e Bidenit i kanë shpërfillur pyetjet për moshën e tij. Por tani ata janë duke e vënë në dukje se lodhja e Bidenit është e pamohueshme. Debati e ka detyruar presidentin t’i pranojë limitimet që i vijnë nga mosha, kur ai veç se e kishte mohuar këtë.
Ata ia kanë reduktuar përdorimin e shkallëve të gjata për të dalë nga avioni “Air Force One” dhe ndihmësit shpesh e shoqërojnë kur del në publik për ta bërë qëndrimin e ngurtë më pak të dukshëm.
Tre zyrtarë francezë që kanë ndihmuar në organizimin e vizitës së Bidenit në Francë në fillim të këtij muaji kanë thënë se reagimi i homologëve amerikanë ndaj opsionit për një vizitë shtetërore në Paris dhe përkujtimet e Ditës D në Normandi kanë bërë që ata të mendojnë se shëndeti i presidentit është i brishtë.
Atyre u është thënë se presidenti amerikan ka nevojë për të pushuar dhe janë ndier se rrethi i Bidenit ka qenë shumë mbrojtës ndaj tij.
Ndërveprimet publike të Bidenit – sidomos me gazetarë – kanë qenë goxha të kufizuara gjatë mandatit, prej njërës nga këshilltaret e tij, Anita Dunn. Edhe gjatë ngjarjeve madhore me demokratët dhe mbështetësit e tjerë, Shtëpia e Bardhë ndonjëherë e kufizon kohën që Bideni e kalon me audiencën, kanë thënë dy persona. Kjo duket si refleks mbrojtës për ta ruajtur shefin e tyre. Por gjithashtu mund të duket si përpjekje për të fshehur diçka.
Ndryshimi i strategjisë për Bidenin
Kjo strategji është duke ndryshuar pas rezultatit të debatit. Pas diskutimit të brendshëm në fushatë, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Bideni do të mbajë një intervistë me George Stephanopoulosin e ABC-së në fundjavë. Presidenti do të shkojë për vizitë në Wisconsin të premten dhe në Philadelphia të dielën. Dhe do të mbajë një konferencë shtypi javën e ardhshme gjatë samitit të NATO-s në Washington.
Aleatët e Bidenit shqetësohen se hapi tjetër i gabuar mund të nxisë shqetësime te votuesit për përshtatshmërinë e presidentit për zyrë.
Një numër në rritje i videove mashtruese online nuk është duke e ndihmuar situatën. Në njërën prej tyre, Bideni rri shumë i ngurtë gjatë performancës muzikore “Juneteenth” në Shtëpinë e Bardhë. Shumë njerëz thoshin se ai kishte “ngrirë”. Por Philonise Floyd, vëllai i George Floyd, 20-vjeçarit me ngjyrë që në vitin 2020 u vra nga një polic në SHBA, ka qenë duke qëndruar afër tij dhe i ka hedhur poshtë këto thashetheme. “Joe vetëm qëndronte duke u kënaqur”, ka thënë ai. Floyd ka vendosur krahun rreth Bidenit gjatë performancës dhe ka thënë se ata dy kanë biseduar para se të fillonte muzika dhe kanë pasur muhabet të shkëlqyer.
Një video, nga Franca, e ka bërë të duket sikur ai është përpjekur të ulet ku nuk ka pasur karrige, por në të vërtetë aty ka pasur. Në një tjetër, Bideni duket sikur endej në një fushë golfi në majë të kodrës jashtë Barit, Itali, gjatë samitit të G7-s në fillim të këtij muaji, me shpinën e kthyer nga udhëheqësit që kishin filluar të mblidheshin për një foto në grup.
Në realitet, ai është kthyer për të biseduar me parashutistët që kanë ateruar pas liderëve, duke i përshëndetur dhe lavdëruar. E tërë skena ka qenë kaotike.
Udhëtimet e vështira jashtë vendit
Këto udhëtime në vende të huaja mund të jenë të vështira, edhe për liderët e rinj dhe të shëndetshëm. Dhe Bideni ka bërë udhëtime të njëpasnjëshme, së pari në Francë dhe pastaj në Itali për G7-n.
Zyrtarët francezë të përfshirë në organizimin e udhëtimit të parë kanë thënë se orari i tij dukej më i lehtë në krahasim me atë të liderëve të tjerë që e vizitojnë vendin.
Pas G7-s, kur Bideni dukej i zbehtë dhe lëvizte ngadalë, ai ka fluturuar përgjatë nëntë zonave kohore për në Los Angeles. Një person që ka folur me Bidenin në ngjarje ka thënë se e ka vërejtur sa i lodhur dukej presidenti gjatë bisedave prapa skenës dhe është shqetësuar kur Bideni nuk ka qenë në gjendje të aktivizohej për bisedën 30-minutëshe në skenë me drejtuesin e emisionit, Jimmy Kimmel dhe ish-presidentin, Barack Obama.
Personi i njëjtë ka thënë që gjatë një ceremonie për mbledhjen e fondeve në mars, presidenti është dukur vibrant, tërheqës dhe ka shfaqur llojin e sharmit, në të cilin ai ishte mësuar ta shihte ndër vite bashkëpunimi.
Gjatë sesioneve të përgatitjes për debat në Camp David, Bideni dukej mirë – i gatshëm për betejën me Trumpin. Kështu që performanca e tij ka qenë tronditëse edhe për ata që kanë qenë duke punuar me të, kanë thënë dy burime. Në një ceremoni për mbledhjen e fondeve të kësaj jave, Bideni ka thënë se ka qenë duke u rikuperuar nga udhëtimet rraskapitëse.
“Nuk isha shumë i zgjuar. Vendosa të udhëtoja rreth botës disa herë”, ka thënë Bideni. Presidenti ka shtuar se ai “nuk e ka dëgjuar stafin e tij” për udhëtimet dhe se ka bërë shaka se “e ka zënë gjumi në skenë” gjatë debatit.
Si është Bideni në punë
Shumë njerëz nga Shtëpia e Bardhë thonë se presidenti i komandon si çështjet e brendshme ashtu edhe problemet e politikave të jashtme, si lufta në Ukrainë dhe konflikti Izrael-Hamas.
“Kam qenë me presidentin disa herë gjatë 3 vjetëve e gjysmë në disa nga vendimet më të rëndësishme për jetë a vdekje ose për paqe dhe gjithashtu në shumë angazhime të mëdha me liderët e lartë”, ka thënë Brett McGurk, zyrtar i lartë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për koordinim në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. “Dhe çfarë kam parë kohë pas kohe që nga java e para deri më sot – është një president që përgatitet për këto angazhime, që ka përmbledhje shumë të detajuara dhe gjithëpërfshirëse për ato angazhime, që më pas i realizon ato”.
Një zyrtar i lartë i administratës i ka përshkruar momentet e tensionuara me Bidenin brenda “Situation Room”, duke e përfshirë një më 13 prill, ku në mbi katër orë intensive Bideni dhe të tjerët kanë shikuar përmes raporteve për një sulm të Iranit ndaj Izraelit. Bideni është përgatitur se si të përgjigjej dhe ka drejtuar diskutime të ndërlikuara me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe liderë të tjerë të G7-s, duke punuar për t’u siguruar që të mos kishte konflikt më të gjerë rajonal.
Këshilltarja e politikës së brendshme, Neera Tanden, ka thënë se ka qenë në takime të mbyllura me Bidenin dhe një grup më të gjerë për çështjet madhore politike, duke përfshirë shtetësitë potenciale për më shumë imigrantë, të dhëna të reja të kujdesit shëndetësor dhe statistikat e FBI-së për krime. Ajo ka thënë se presidenti ka qenë i angazhuar gjatë tërë takimit.
“I dërgoj çështje të komplikuara dhe ai i trajton ato”, ka thënë ajo. “Ai e kupton se programet janë të ndërlidhura dhe të komplikuara dhe mund t’i lidhë çështjet me eksperiencat që i ka pasur kohë më parë, ose para disa muajve”.
Të pakënaqur me shpjegimet
Demokratët, deri më tani, kanë qenë të pakënaqur me shpjegimet nga stafi i Shtëpisë së Bardhë, ekipi i fushatës dhe vetë presidenti për performancën gjatë debatit. Dhe ka zhgënjim të thellë mes disave që mendojnë se presidenti duhet ta kishte trajtuar këtë situatë më shpejt dhe ai i ka vendosur ata në pozitë të vështirë duke qëndruar në garë.
Bideni mund të vendosë të largohet vetë nga gara, por ai nuk mund të hiqet. Deri më tani, vetëm dy anëtarë aktivë të Kongresit kanë bërë thirrje për tërheqjen e tij, por ka rritje të ankthit në Capitol Hill për aftësinë e tij për ta kryer punën. Shumë janë duke pritur me ankth votimin pas debatit dhe janë duke pritur të shohin se si do të shkojë intervista e presidentit në ABC.
Një problem tjetër për demokratët: Me fokusin kaq të drejtpërdrejtë te Bideni, i është kushtuar më pak vëmendje Trumpit, performanca e debatit të të cilit ishte e mbushur me gënjeshtra në lidhje me trazirat e 6 janarit 2021, trazirat e Capitolit dhe pikëpamjet e demokratëve për të drejtat e abortit.
Një aleat demokrat shprehu zhgënjimin që anëtarët e familjes së Bidenit nuk i kanë bërë thirrje atij të largohet për hir të prioritetit kryesor: Mbajtja e Trumpit jashtë Shtëpisë së Bardhë. Në vend të kësaj, ata po e inkurajojnë të qëndrojë në garë.
Vetëm mjekët e Bidenit mund të japin përgjigje
Vetëm mjeku personal i Bidenit mund t’u përgjigjet pyetjeve për aftësitë njohëse të presidentit. Një paraqitje e keqe në televizion nuk mjafton për ta vlerësuar aftësinë njohëse të dikujt, ka theksuar studiuesi i moshës, Jay Olshansky, “madje edhe për ata që e studiojnë plakjen”. Pa më shumë njohuri, nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur nëse problemet nga avioni që ka përmendur Bideni, apo faktorët e tjerë, e shpjegojnë performancën e tij, ka thënë ai.
“E di me siguri se si duket situata dhe nuk është dukur mirë. Por mund t’ia atribuojmë këtë rënies kognitive? Shiko, një orë pas pjesëmarrjes në debat, ai është dukur sikur vetja e tij”, ka thënë Olshansky. “Por fakti se nuk e dimë me siguri është problemi”.
“I vetmi person që e ka ekzaminuar presidentin në perspektivën mjekësore është mjeku i tij personal”, ka shtuar ai. “Mesazhi i rëndësishëm është se nuk e dimë dhe nuk kemi dëgjuar gjë nga mjeku i tij. Dhe derisa të zgjidhen këto çështje nuk mund të flasim”.
Mjeku i Bidenit, Kevin O’Connor, e ka konsideruar presidentin të aftë për detyrë pas një kontrolli në shkurt, që ka përfshirë vlerësimin neurologjik. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në atë kohë kanë thënë se Bidenit nuk i është dhënë një test specifik njohës, sepse O’Connor dhe neurologu kanë vendosur se ai nuk kishte nevojë për të.
“Mjeku i tij është shumë i mirë dhe nuk bën teste të panevojshme”, ka thënë Olshansky. “Prandaj kur e ka marrë këtë vendim, ai na ka treguar për atë që ka parë dhe atë që nuk e ka parë – nuk ka prova për rënie kognitive”.