Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka këmbëngulur se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta largojë nga gara presidenciale gjatë një interviste televizive ku u përpoq të qetësonte kritikët.
Në një intervistë pa shumë gafa, por që nuk ka gjasa të qetësojë kritikët, Bideni u pyet nga George Stephanopoulos i “ABC News” se si do të ndihej nëse do të mbetej i nominuar dhe do të humbiste ndaj Donald Trumpit.
“Do të ndihem për aq kohë sa kam dhënë gjithçka dhe kam bërë punën më të mirë që di që mund të bëj”, u përgjigj presidenti.
Në përgjigje të tjera që kundërshtarët mund t'i shohin si arrogancë ose jashtë kontekstit, 81-vjeçari pohoi se “po drejton botën” dhe askush nuk është “më i kualifikuar” për të qenë president.
Intervista e së shtunës [me kohën tonë lokale] erdhi mes kritikave ndërsa 81-vjeçari po përpiqet të shpëtojë nominimin demokrat për president pas paraqitjes katastrofike në debatin presidencial muajin e kaluar. Katër anëtarë të Kongresit i kanë bërë thirrje Bidenit të largohet nga gara dhe u raportua se Mark Warner, i cili kryeson komitetin e inteligjencës së Senatit, po kërkon të mbledhë një grup senatorësh demokratë për t'i kërkuar presidentit të heqë dorë nga oferta për rizgjedhje.
Por të premten, duke folur me Stephanopoulosin, presidenti Biden vazhdoi të kishte ton sfidues.
“Shiko. Dua të them, nëse Zoti i Plotfuqishëm do të zbriste dhe do të thoshte, ‘Joe, dil nga gara', do të dilja nga gara. Zoti i Plotfuqishëm nuk po zbret”, ka thënë Biden.
Biden këmbënguli që pas takimit me liderët demokratë si Chuck Schumer, Hakeem Jeffries, Nancy Pelosi dhe guvernatorët e shteteve, do të vazhdojnë ta mbështesin atë.
Stephanopoulos, ish-këshilltar i lartë i presidentit Bill Clinton, i bëri presion Bidenit se çfarë do të bënte nëse i thuhej se miqtë dhe mbështetësit ishin të shqetësuar se kandidatura e tij do t'u kushtonte demokratëve Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin.
“Nuk do t'i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk do të ndodhë”, u shpreh Biden.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor.