Botë

Biden: Qeveria do ta paguajë koston totale të rindërtimit të urës

Joe Biden

Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk ka indikacion se shembja e urës Francis Scott Key në Baltimore mëngjesin e së martës, ishte rezultat i ndonjë akti të qëllimshëm.

Në një adresim nga Shtëpia e Bardhë, Bideni ka premtuar rindërtimin e urës nga Qeveria federale, dhe ka shtuar se ka biseduar lidhur me ngjarjen me guvernatorin e Marylandit, Wes Moore dhe me dy senatorë, raportoi CNN.

“Qëllimi im është që Qeveria federale të paguajë për koston totale të rindërtimit të urës. Pres që Kongresi ta mbështesë përpjekjen time, por kjo do të marrë pak kohë”, ka deklaruar Biden.

Bideni ka nënvizuar se kishte kaluar mbi urën disa herë, gjatë udhëtimeve ndërmjet Washingtonit dhe Delaware.

Presidenti ka shtuar se operacioni i kërkim-shpëtimit është "prioriteti kryesor" dhe ushtria është në vendngjarje për të filluar heqjen e rrënojave.

"Korporata e Inxhinierëve të Ushtrisë do të udhëheqë përpjekjet për të pastruar kanalin”, ka thënë ai duke shtuar se do të shkojë në Baltimore së më shpejtë që të mundet.

Transporti përmes portit, një nga më të ngarkuarit në SHBA është pezulluar. Bideni ka thënë se është shumë e rëndësishme që puna e Portit të rikthehet pasi mijëra punë varen nga ai.

Anija më se 280-metërshe e mallrave e goditi mëngjesin e së martës urën kryesore mbi 2.5-kilometërshe në Baltimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e shkaktuar shembjen e saj dhe rënien në ujërat e lumit të veturave e njerëzve që ndodheshin në të.

Autoritetet kanë thënë se shkaku i goditjes së anijes në urë ishte bërë humbja e energjisë.