Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të kërkojë të premten të arrijë pajtim me partnerët kryesorë evropianë për çështje që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë e deri te konflikti në Lindjen e Mesme.
“Ne po shkojmë drejt Berlinit”, shkroi Biden në një postim në X brenda natës. “Gati për të përshëndetur miqtë e vjetër dhe për të forcuar aleancën tonë të ngushtë ndërsa qëndrojmë së bashku për lirinë dhe kundër tiranisë në mbarë botën”.
Biden, i cili kërkoi të përmirësonte lidhjet me Evropën pas presidencës së Donald Trumpit 2017-2021, do të pritet me nderime ushtarake përpara se të marrë urdhrin më të lartë të meritës së Gjermanisë nga Presidenti Frank-Ëalter Steinmeier, raporton Reuters.
Udhëtimi brenda natës i Bidenit vjen vetëm disa javë përpara votimit presidencial në SHBA, gjatë të cilit kandidati republikan Trump po kërkon rizgjedhjen në një garë të ngushtë kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris, kandidatja demokrate.
Biden, i cili u largua nga gara në korrik, do të zhvillojë bisedime me dyer të mbyllura me kancelarin Olaf Scholz për sigurinë, tregtinë dhe çështje të tjera ekonomike.
Më vonë, kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të udhëtojnë në Berlin për t'u bashkuar me ta për bisedime të fokusuara kryesisht në atë se si t'i japin fund luftimeve në Ukrainë ndërsa forcat ruse përparojnë në lindje dhe po afrohet një dimër i zymtë i ndërprerjeve të energjisë.