Izraeli dhe Libani kanë pranuar një marrëveshje armëpushimi, ka njoftuar presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
“Kam lajme të mira nga Lindja e Mesme. Kam folur me kryeministrat e Izraelit dhe të Libanit dhe qeveritë e tyre kanë pranuar propozimin e SHBA-së që t’i japin fund konfliktit. Falënderoj presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që ndihmoi në arritjen e kësaj marrëveshje”, ka thënë presidenti i SHBA-së, Biden.
Ai ka thënë se marrëveshja do të hyjë në fuqi në ora 04:00 të së mërkurës me kohë lokale, e luftimet ndërkufitare do të ndalen. Ai ka thënë se s’do të lejohet që Hezbollahu të rigrupohet.
“Të jemi të qartë, Izraeli nuk e nisi këtë luftë, as populli libanez nuk e kërkoi atë luftë, as Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.
Që nga fillimi i luftës, më shumë se 70,000 izraelitë janë detyruar të jetojnë si refugjatë, ka thënë Biden.
“Ky ka qenë konflikti më vdekjeprurës mes Izraelit dhe Hezbollahut në dekada”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se do të punojë për të arritur marrëveshje armëpushimi edhe në Gaza.
“Populli i Gazës e meriton një fund të luftimeve dhe vendosjeve. Njerëzit në Gaza kanë kaluar nëpër ferr dhe kanë vuajtur shumë”, ka thënë Biden.
Presidenti i SHBA-së tha se Hamasi ka vetëm një zgjedhje.
“Rrugëdalja e vetme është të lirohen pengjet të marra në Izrael vitin e kaluar, dhe t’i kapin fund luftimeve, që do të lejonin hyrjen e ndihmës”, deklaroi Biden.
Biden ka thënë se SHBA-ja do t’i vazhdojë përpjekjet për arritjen e armëpushimit në Gazan.
Po ashtu ka thënë se SHBA-ja është e përgatitur për të bërë “marrëveshje historike” për krijimin e një shteti palestinez dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit.
“Besoj se kjo agjendë mbetet e mundur”, tha Biden.
Ai ka thënë se vendimi i marrë nga udhëheqësit e Izraelit dhe Libanit për ta pranuar armëpushimin e propozuar nga SHBA-ja, dëshmon se “paqja është e mundur”.
E, në deklaratën e përbashkët të presidentit amerikan me atë të Francës, Emmanuel Macron, është thënë se armëpushimi do ta mbrojë Izraelin nga Hezbollahu dhe do të mundësojë paqe të qëndrueshme.
SHBA-ja dhe Franca do të punojnë “për të siguruar që kjo marrëveshje të zbatohet plotësisht”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri i Libanit, Najib Mikati, ka thënë se e sheh marrëveshjen si “hap vendimtar përpara rikthimit të qetësisë dhe stabilitetit në Liban dhe mundësimit të rikthimit të personave të zhvendosur në qytetet e tyre”.
Ai ka shtuar se marrëveshja mundëson edhe stabilitetin në rajon.
“Teksa vlerësoj përpjekjet e përbashkëta të SHBA-së dhe Francës në arritjen e këtij mirëkuptimi, rikonfirmoj përkushtimin e qeverisë për të implementuar Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke rritur praninë e Ushtrisë së Libanit në jug dhe bashkëpunimit me Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL)”, ka thënë Mikati.
