Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka publikuar mijëra dokumente që lidhen me atentatin e ish-presidentit të SHBA-së, John F. Kennedy, dokumente të cilat më herët ishin të klasifikuara.
Shumë dokumente rreth atentatit ndaj ish-presidentit janë publikuar më herët, ku përfshihen edhe 13,000 dokumente të publikuara gjatë administratës së Joe Bidenit. Gjithsesi shumë dokumente të publikuara të martën janë redaktuar më herët, ka raportuar “CNN”.
Trumpi ka deklaruar të hënën se “njerëzit kanë pritur me dekada” për të parë 80,000 dokumente që lidhen me atentatin ndaj Kennedyt. Pasi mori detyrën Trumpi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që udhëzon publikimin e mijëra dokumenteve që lidhen me atentatin ndaj John F. Kennedyt, Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr.
Dokumente janë publikuar të martën në uebfaqen e Arkivit Kombëtar. Por nuk ka indikacione se dokumentet mund të përmbajnë diçka që mund të nxisë reagime, thonë persona që i kanë parë një pjesë të madhe të dokumenteve.
Tom Samoluk ka qenë zëvendësdrejtor i Bordit të Rishikimit të Dokumenteve të Atentatit, një panel qeveritar i krijuar në vitet ‘90 për të studiuar dokumentet që lidhen me atentatin. Sipas tij nga ajo se çfarë ka rishikuar nuk ka asgjë që do të ndryshonte përfundimin e tanishëm për atentatin ndaj Kennedy, Lee Harvey Oswald, ka qenë i përgjegjës për vdekjen e tij, dhe ka punuar i vetëm.