Bashkimi Evropian i është përgjigjur akuzës së një dite më parë të presidentit amerikan, Donald Trump, kur ai e quajti Zelenskyn “diktator”.
"Ukraina është një demokraci, Rusia e Putinit jo”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Stefan de Keersmaecker të enjten, raporton BBC.
Ai ka shtuar se BE-ja ka një "pozicion të drejtpërdrejtë dhe të qartë" për këtë çështje, duke thënë se "presidenti Zelensky është zgjedhur në mënyrë legjitime në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike".
BE-ja është një aleat kyç i Ukrainës, edhe pse vendi nuk është një vend anëtar.
Deklarata e Trumpit në të cilën ai e quajti Zelenskyn “diktator” ka ardhur pasi presidenti ukrainas ka thënë se Trumpi “po jetonte në një hapësirë dezinformuese” të krijuar nga Moska.
Zelensky e ka bërë këtë deklaratë pasi Trumpi kishte kërkuar zgjedhje në Ukrainë, duke thënë se presidentit aktual i ka rënë besueshmëria në mesin e ukrainasve.
Mirëpo, Ukraina ka shpallur ligjin ushtarak që kur ka nisur pushtimi rus, dhe kjo nënkupton se zgjedhjet janë të pezulluara.
Zelensky është zgjedhur president në vitin 2019 për një mandat 5-vjeçar.