Botë

BE-ja thotë se ka informacione të besueshme se Irani i ka dërguar raketa Rusisë

Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian ka thënë se po i shqyrton raportimet se Irani e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike që t’i përdorë në luftën kundër Ukrainës, pasi ka marrë inteligjencë “të besueshme” nga vendet aleate. Teherani i ka mohuar akuzat, ndërsa Moska nuk e ka mohuar drejtpërdrejt marrjen e raketave nga Teherani.

Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se aleatët kanë ndarë inteligjencë “të besueshme” se Irani e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike, pretendim i mohuar nga Teherani, por jo drejtpërdrejt edhe nga Kremlini, raporton agjencia "AFP".

Mediat amerikane kanë raportuar javën e kaluar se Washingtoni beson se Irani ka transferuar armët në Rusi në mënyrë që të përdoren në Ukrainë, duke cituar burime anonime.

“Jemi të vetëdijshëm për informacionin e besueshëm të ndarë nga aleatët për dërgimin e raketave iraniane balistike në Rusi”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. “Po e shqyrtojmë më tej atë me shtetet anëtare dhe nëse konfirmohet, kjo dërgesë do të paraqesë material thelbësor për përshkallëzim, sa i përket mbështetjes së Iranit për luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës”.

Stano ka shtuar se “qëndrimi unanim i liderëve të BE-së ka qenë gjithmonë i qartë, Bashkimi Evropian do të përgjigjet me shpejtësi dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë masa të reja dhe të rëndësishme kufizuese kundër Iranit”.

Ministria e Jashtme e Iranit i ka mohuar akuzat.

Perëndimi e ka paralajmëruar Teheranin sa i përket dërgesave të raketave në Rusi për muaj të tërë dhe BE-ja veçse e ka goditur Iranin me sanksione, meqë e ka furnizuar Moskën me dronë për luftën në Ukrainë.

“Ne i kundërshtojmë me forcë pretendimet për rolin e Iranit në eksportimin e armëve për njërën palë të luftës”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani gjatë një konference shtypi.

Kremlini nuk ka kundërshtuar të hënën, kur është pyetur saktësisht për raportin e “Wall Street Journal” se Irani ka dërguar raketa.

“Ne e kemi parë këtë raport, nuk do të thotë gjithmonë se ky lloj informacioni është i vërtetë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Irani është partner i rëndësishëm, ne jemi duke zhvilluar marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike, jemi duke zhvilluar bashkëpunimin dhe dialogun në të gjitha fushat e mundshme, duke i përfshirë edhe fushat e ndjeshme”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se çdo dërgesë do të nxiste një përgjigje “të rëndë” dhe do t’i dëmtonte përpjekjet e Teheranit për t’i rregulluar marrëdhëniet me Perëndimit, pas zgjedhjes së reformistit Masoud Pezeshkian si president.

E ballafaquar me sanksione ndëshkuese të Perëndimit, Moska është kthyer kah Irani dhe Koreja e Veriut për furnizime me armë, në mënyrë që t’i vazhdojë luftimet në Ukrainë.

Ukraina ka thënë se është sulmuar nga dronë të dizajnuar iranianë “Shahed” për gati çdo ditë nga Rusia dhe ka gjetur fragmente të raketave të Koresë së Veriut në territorin e saj.

Dorëzimi i pretenduar i raketave në Rusi vjen pasi Kremlini e ka rritur edhe një herë fushatën e bombardimeve kundër infrastrukturës kryesore të Ukrainës përpara dimrit.