Botë

BE-ja thotë se do t’i kundërpërgjigjet rritjes së tarifave reciproke të SHBA-së

shba - be

Komisioni Evropian e sheh propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për tregti reciproke “si një hap në drejtimin e gabuar”. KE-ja ka thënë se mbetet e përkushtuar “ndaj një sistemi të hapur dhe të parashikueshëm tregtar global ku përfitojnë të gjithë partnerët”.

Ndërsa, ka theksuar se Bashkimi Evropian do të reagojë me vendosmëri dhe menjëherë nëse ka rritje të tarifave.

Tutje thuhet se Bashkimi Evropian ka punuar me partnerë tregtarë, si SHBA-ja, për të reduktuar tarifat dhe barrierat e tjera tregtare në botë, dhe se tregtia në botë ka lulëzuar nën rregulla të parashikueshme, transparente dhe tarifa të ulëta. Këtë gjë, sipas BE-së, po e minon tani SHBA-ja.

“Tarifat e BE-së janë ndër më të ulëtat në botë dhe ajo nuk sheh arsye për rritjen e tarifave amerikane ndaj eksporteve të saj. Tarifat janë taksa. Duke vendosur tarifa, SHBA-ja po u vë taksa qytetarëve të saj, duke rritur kostot për bizneset, mbyt rritjen dhe nxit inflacionin”, thuhet në reagim.

Presidenti Trump ka nënshkruar të enjten planin për të rritur tarifat amerikane me arsyetimin që ato të përputhen me normat e tatimit që vendet e tjera e ngarkojnë për importet nga SHBA-ja. Në një njoftim nga Shtëpia e Bardhë u tha se kishte ndryshim midis tarifave të BE-së për importet e makinave, që është 10%, krahasuar me tarifën prej 2.5% për ato që hyjnë në SHBA, si dhe kufizimet e BE-së mbi importet e frutave të detit nga SHBA-ja.