Botë

BE-ja po mendon t’ia kthejë regjimin e vizave Gjeorgjisë

Bashkimi Evropian Gjeorgjia

Bashkimi Evropian mund ta konsiderojë pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për Gjeorgjinë nëse zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit në vendin kandidat për anëtarësim në bllok nuk janë të lira, të drejta dhe paqësore, ka thënë të premten ambasadori i BE-së në Tbilisi, Pawel Herczynski, transmeton Reuters.

Marrëdhëniet e Gjeorgjisë me Perëndimin janë përkeqësuar muajt e fundit, me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane që akuzojnë qeverinë gjeorgjiane për tendenca autoritare dhe pro-ruse.

“Të gjitha opsionet janë në tryezë, duke përfshirë pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për Gjeorgjinë”, u tha gazetarëve Herczynski.

Liberalizimi i vizave për Gjeorgjinë u vendos në vitin 2017.

Nëse zgjedhjet e Gjeorgjisë nuk konsiderohen të lira dhe të drejta, ka shtuar Herczynski, BE-ja mund të marrë masa të ngjashme me ato kundër Bjellorusisë, aleatja autoritare e Rusisë që është nën sanksione pas zgjedhjeve të vitit 2020 që vendet perëndimore dhe aktivistët e opozitës bjelloruse thonë se ishin të manipuluara.

Ndonëse partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” thotë se dëshiron që vendi i Kaukazit jugor të bashkohet me BE-në dhe NATO-n, me veprimet në dy vjetët e fundit ka treguar thellim të marrëdhënieve me Rusinë.

Ish-kryeministri miliarder Bidzina Ivanishvili, i cili është themelues i “Ëndrrës Gjeorgjiane” dhe shihet gjerësisht si personi më i fuqishëm i Gjeorgjisë, ka akuzuar Perëndimin se kërkon ta fusë në luftë me Rusinë.

Javën e kaluar, Ivanishili pati thënë se Tbilisi duhet të kërkojë falje për luftën e shkurtër me Rusinë në vitin 2008 – që çoi në njohjen e dy rajoneve rebele gjeorgjiane nga Moska.

BE-ja i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit dhjetorin e kaluar, por oferta për anëtarësim u ngri pasi Tbilisi miratoi në qershor ligjin mbi agjentët e huaj që Perëndimi thotë se është autoritar dhe i frymëzuar nga Rusia.

Vendet perëndimore kanë kritikuar gjithashtu projektligjin për “vlerat familjare” të miratuar nga ligjvënësit këtë javë që frenon të drejtat e grupit LGBT.