Botë

BE-ja ndan 1 miliard euro shtesë për ta ndihmuar Turqinë me refugjatët sirianë

Ursula von der Leyen

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen ka njoftuar të martën për ndarjen e një 1 miliard euro shtesë për Turqinë, për ta ndihmuar atë që të mbështesë miliona refugjatë sirianë.

Duke folur pas një takimi me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan në kryeqytetin turk Ankara, von der Leyen ka thënë se financimi do të ndihmonte me kujdesin shëndetësor dhe arsimin për refugjatët, si dhe migrimin dhe menaxhimin e kufijve, duke përfshirë kthimin vullnetar të refugjatëve sirianë, raporton AP.

Ajo ka thënë se fondet mund të përdoren për të përmbushur nevojat që mund të lindin ndërsa situata në Siri evoluon.

Von der Leyen ka insistuar gjithashtu se kthimi i refugjatët sirianë në atdheun e tyre duhet të jetë "vullnetar, i sigurtë dhe dinjitoz", pasi shumë vende të BE-së kanë pezulluar tashmë procedurat e azilit për refugjatët sirianë dhe po peshojnë kthimet e mundshme të detyruara.

“Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mirë në mbështetjen e një tranzicioni politik të udhëhequr nga Siria”, i ka thënë ajo Erdoganit.

Ndërkaq, Erdogani ka akuzuar komunitetin ndërkombëtar për dështimin në ofrimin e mbështetjes së duhur për sirianët gjatë luftës civile, teksa ka thënë se Turqia dhe BE-ja bien dakord mbi nevojën e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse në Siri pas rrëzimit të presidentit, Bashar al- Assad.

LEXO EDHE: