Botë

BE-ja kritikon Francën për borxhin e tepërt në kulmin e fushatës së Macronit

Emmanuel Macron

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian kritikoi të mërkurën Francën për borxhin e tepërt.

Ky po shihet si një qortim i rëndë në kulmin e një fushate zgjedhore, ku presidenti, Emmanuel Macron, po përballet me një sfidë të fortë nga e djathta ekstreme dhe e majta, raporton AP.

Komisioni Evropian u rekomandoi shtatë vendeve, përfshirë Francën, që të fillonin një të ashtuquajtur "procedurë të deficitit të tepruar".

“Kriteret e deficitit nuk plotësohen në shtatë nga vendet tona anëtare”, ka deklaruar zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis, duke drejtuar gishtin nga Belgjika, Franca, Italia, Hungaria, Malta, Sllovakia dhe Polonia.

Për dekada të tëra, BE-ja ka vendosur objektiva për vendet anëtare që të mbajnë deficitin e tyre vjetor brenda 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe borxhin e përgjithshëm brenda 60% të prodhimit. Këto objektiva janë shpërfillur, ndonjëherë edhe nga vende si Gjermania dhe Franca, që janë konomitë më të mëdha në bllok.

Këtë herë, megjithatë, Dombrovskis ka thënë se një vendim “duhet të merret bazuar në, le të themi, faktet dhe nëse vendi respekton traktatin, vlerat referuese për një deficit dhe borxh dhe jo bazuar në madhësinë e vendit”.

Deficiti vjetor francez ishte 5.5% vitin e kaluar.

Gjatë viteve të kaluara, rrethana të jashtëzakonshme si kriza e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë lejuan lehtësim, por kësaj tani i ka ardhur fundi.

Megjithatë, njoftimi i së mërkurës duket se ishe një goditje për Macronin, i cili thirri zgjedhje të parakohshme pas humbjes së tij nga e djathta e fortë e Marine Le Pen në zgjedhjet parlamentare të BE-së, më 9 qershor.

“Tubimi Kombëtar” i Le Pen-it dhe një front i ri i majtë i bashkuar po dalin në sondazhe përpara partisë së Macronit në zgjedhje, dhe të dy garuesit kanë paraqitur plane ku shpenzimet e deficitit për të dalë nga rrëmuja ekonomike janë thelbësore.

Pavarësisht qortimit për borxhin e tepërt, komisioneri i ekonomisë i BE-së, Paolo Gentiloni theksoi se Franca po lëvizte gjithashtu në drejtimin e duhur për të adresuar disa "zhbalancime", duke dërguar një "mesazh sigurie" për institucionet e BE-së.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia franceze do të rritet relativisht ngadalë me një rritje prej 0.8% të PBB-së në vitin 2024, përpara se të rritet në 1.3% në vitin 2025.