Komisioni Evropian ka deklaruar të hënën se ka parë "ndërhyrje të paprecedentë" të Rusisë në Moldavi, pasi vendi votoi gjatë fundjavës me një shumicë të vogël në favor të sigurimit të një rruge drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, u ka thënë gazetarëve në Bruksel se shërbimet e BE-së po vëzhgonin referendumin e Moldavisë dhe garën presidenciale nga shumë afër.
“Ne vërejtëm se ky votim u zhvillua nën ndërhyrje dhe frikësim të paprecedentë nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj, me qëllim destabilizimin e proceseve demokratike në Republikën e Moldavisë”, ka thënë Stano.
Votimi u mbajt mes pretendimeve të vazhdueshme nga autoritetet moldave se Moska ka intensifikuar një fushatë për të destabilizuar vendin dhe për të prishur rrugën e saj drejt BE-së.
Akuzat përfshijnë financimin e grupeve të opozitës pro-Moskës, përhapjen e dezinformatave, ndërhyrjen në zgjedhjet lokale dhe mbështetjen e një skeme të madhe të blerjes së votave.
Stano u ka thënë gazetarëve se akuzat për blerje votash, transportim me autobusë për votues dhe dezinformim, ishin format më të fundit të ndërhyrjes ruse, dhe se përpjekjet për të minuar Moldavinë dhe mbështetjen e saj për BE-në kanë vazhduar prej muajsh.
"Ne kemi informacione të dorës së parë me të cilat po punojmë, në bazë të të cilave mund të themi se Moldavia po përballej me frikësim të paprecedentë dhe ndërhyrje të huaj nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj përpara këtyre dy votimeve të rëndësishme”, ka shtuar Stano.
Me 99.41% të 1.4 milionë votave të numëruara, vota “Po” për hyrje në BE ishte 50,39%, kundrejt 49,61% që votuan “Jo”, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në garën presidenciale që u mbajt në të njëjtën kohë, presidentja Maia Sandu fitoi rundin e parë me 42% të votave por nuk arriti të fitojë një shumicë të plotë.
Ajo do të përballet me Alexandr Stoianoglo, një ish-prokuror i përgjithshëm, miqësor ndaj Rusisë.