Botë

Bastiset zyra e presidentit të Koresë së Jugut

Yoon Suk Yeol

Policia në Korenë e Jugut është në procesin e bastisjes së zyrës presidenciale në Seul, pas përpjekjes së dështuar të presidentit Yoon Suk Yeol për ta imponuar ligjin ushtarak javën e kaluar.

Policia ka thënë se ndërsa kanë pasur qasje në zyrat e shërbimit civil, megjithatë, nuk janë lejuar të hyjnë në ndërtesën kryesore të zyrës së Yoonit, e cila është e bllokuar nga rojet e sigurisë, sipas AFP.

Bastisjet janë zhvillimi më i fundit në atë që ka qenë javë e trazuar në politikën e Koresë së Jugut.

Presidenti Yoon, i cili ka qëndruar në detyrë pavarësisht votimit për shkarkim dhe thirrjeve të shumta që të largohej, po përballet me hetime të shumta, me akuza për kryengritje dhe tradhti.

Ndërkohë, ish-ministri i Mbrojtjes i vendit, Kim Yong-hyun, i cili mori përgjegjësinë për shpalljen e ligjit ushtarak, tentoi vetëvrasje ndërsa ishte në paraburgim të martën mbrëma, ka thënë një zyrtar.

Kim aktualisht po mbahet në një dhomë me roje dhe nuk ka probleme shëndetësore.

Ai u arrestua të dielën.

Shumë zyrtarë të afërt me Yoonin kanë dhënë dorëheqjen pas shpalljes jetëshkurtër të ligjit ushtarak.

Vendi tani është në një gjendje të fluksit politik.

Ligjvënësit e partisë në pushtet u bashkuan për të bojkotuar votimin për shkarkimin e Yoonit si president pasi ai ra dakord të shkurtonte mandatin dhe të mos përfshihej në çështjet e jashtme dhe të brendshme.

Megjithatë, Partia Demokratike e opozitës, e cila ka shumicën në parlament e ka kritikuar marrëveshjen, duke e quajtur atë “kryengritje të dytë të paligjshme, antikushtetuese dhe grusht shteti të dytë”.

Është e paqartë se çfarë autoriteti, nëse ka, ka tani Yoon, dhe protestuesit janë ende në rrugë duke e bërë thirrje që ai të largohet.