Katër vjet më parë tensionet kufitare shpërthyen kur një përleshje në Ladakh-Aksai Chin solli konfliktin e parë me fatalitet mes dy vendeve në më shumë se katër dekada – me të paktën 20 ushtarë indianë dhe katër ushtarë kinez të vrarë
Lart në malet Himalaje njerëzit e territorit të largët të Indisë veriore frikësohen se mënyra sesi jetojnë është e kërcënuar nga ndryshimet klimatike dhe tensionet kufitare me Kinën.
Në rrezik, besojnë ata, është e ardhmja e Ladakhut, një nga rajonet me lartësi më të madhe në botë, ku fiset indigjene ruajnë traditat nomade në rrafshnaltat e gjera të rrethuara nga male të mbushura me manastire budiste.
Për vite të tëra, Lopzang Daduli ka kullotur jakët, delet dhe dhitë nëpër peizazhin e gjerë dhe marramendës afër kufirit të kontestuar të Indisë me Kinën, duke ndjekur stinët për të gjetur tokat për kullotje.
Por tani, Daduli thotë, barinjtë janë duke u ndaluar nga ushtria indiane për të shkuar në këto toka, që për gjenerata të tëra kanë mbështetur mënyrën e jetesës nomade të Ladakhut – situatë e cila sipas tij dhe të tjerëve është përkeqësuar, pas përplasjes kufitare të vitit 2020 mes ushtarëve kinez dhe indianë.
“Në Indi, ushtria nuk na lejon të shkojmë në vendet që i quajnë toka të askujt ... civilëve nuk u lejohet të shkojnë më atje”, thotë Daduli, 33-vjeçar dhe baba i dy fëmijëve nga fshati Phobrang. “Nëse nuk arrijmë të gjejmë tokë të mjaftueshme do të na duhet ta shesim bagëtinë ... dhe të gjejmë opsione të tjera”.
Barinjtë e Ladakhut banojnë në atë zonë që tash është zonë strategjikisht e rëndësishme, ku kufiri i kontestuar prej 3379 kilometrash i Indisë me Kinën ka qenë për dekada burim i mosmarrëveshjeve mes dy fqinjëve të armatosur me armë nukleare.
“Shumë nga këto toka të kullotjes janë në zona të kontestuara mes Indisë dhe Kinës dhe pas përplasjes qasja në këto toka u është mohuar vendësve, sepse ata janë bërë pjesë e zonave neutrale mes Indisë dhe Kinës”, sipas Sushant Singh, bashkëpunëtor i lartë në qendrën indiane për Kërkime të Politikave.
Si India ashtu edhe Kina mbajnë prezencë të lartë ushtarake përgjatë kufirit të tyre, të njohur si “Line of Actual Control” (LAC), e cila kurrë nuk ka qenë e definuar saktësisht dhe ka mbetur si zonë e mosmarrëveshjeve që nga lufta kufitare Sino-Indiane e vitit 1962.
Katër vjet më parë, tensionet kufitare shpërthyen kur një përleshje në Ladakh-Aksai Chin solli konfliktin e parë me fatalitet mes dy vendeve në më shumë se katër dekada – me të paktën 20 ushtarë indianë dhe katër ushtarë kinez të vrarë.
Dhuna është pasuar nga një proces i tërheqjes ushtarake të të dyja palëve, krijimit të zonave neutrale dhe bisedimeve të vazhdueshme për kufirin – por situata mbetet e tensionuar dhe as India dhe as Kina nuk e kanë specifikuar publikisht se ku janë këto zona, duke krijuar një realitet të errët në terren.
Për këtë arsye, vendndodhja e këtyre zonave mund “të mos jetë e qartë për vendësit”, ka thënë Manoj Joshi, bashkëpunëtor “Observer Research Foundation”, në Nju - Delhi.
Lëvizja e barinjve shihet si e ndjeshme sepse të dy vendet në të kaluarën kanë përdorur prezencën e tyre në zonë për të shpallur kontroll ushtarak mbi të, ka thënë Singhu.
“Së pari largohen barinjtë, pastaj ngrihen tendat, dhe pastaj ushtarët arrijnë dhe thua ‘kjo është zona jonë’”, ka thënë ai, duke vënë në dukje arsyen se pse India është duke i bllokuar ata të kalojnë në këtë zonë.
Konchok Stanzini, 37-vjeçar, këshilltar i zonës elektorale Chushul të Ladakhut, e cila përfshin katër fshatra kufitare, thotë se kufizime të tilla kanë ndikuar në mosaksesin e barinjve në këto toka.
“Rezeng La, Mukhpari, Black Top, Helmet Top dhe Gurung Hill. Të gjitha këto zona janë kullota dimërore të fshatit Chushul. Tani njerëzit e kanë të vështirë të shkojnë atje. Këto zona tani janë toka të askujt”, ka thënë Stanzini, i cili ka qenë duke rritur ndërgjegjësimin për këto çështje që nga viti 2020.
“Ne e dimë realitetin, e dimë situatën në terren. Nëse Qeveria indiane thotë se nuk kemi humbur asnjë copë toke, atëherë çfarëdo që kemi humbur veçse ka humbur”, ka shtuar Stanzini. “Kinezët janë duke na u afruar vazhdimisht. Ata kanë qenë duke kaluar vijën dhe janë duke u futur brenda”, ka thënë Daduli. “Kina është duke na e marrë tokën, Qeveria indiane thotë se nuk kemi humbur asgjë, ushtria indiane nuk na lë të shkojmë atje”, ka shtuar ai.
Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Indisë ka thënë: “Asnjë territor indian nuk ka humbur. Negociatat janë në rrugë e sipër për tërheqje nëpër pikat e mbetura të mosmarrëveshjes”.
Për zonat neutrale, ministria ka thënë: “Të gjitha tërheqjet e arritura deri më tash janë bazuar në principin e Sigurisë së Përbashkët dhe të Barabartë. Për momentin, ekziston një moratorium i rënë dakord reciprokisht për aktivitetet ushtarake nga të dyja palët në zonat ku ka ndodhur tërheqja, për ta ruajtur paqen dhe qetësinë”.
“Numri i barinjve indianëve dhe i bagëtisë në zonat e kullotjes tradicionale ka pësuar rritje” pas ngjarjeve të vitit 2020, ka shtuar deklarata e ministrisë. “Kështu që nuk ka pasur asnjë ndikim negativ në jetesën e vendasve në zonë”.
Protestat dhe grevat e urisë
Rritja e shqetësimit mbi kërcënimet e mënyrës së jetesës në Ladakh – që nga humbja e tokave të kullotjes deri te ndryshimi i klimës dhe industrializimi – ka çuar mijëra njerëz përgjatë rajonit në kryeqytetin Leh gjatë javëve të fundit për të kërkuar të drejta më të mira para zgjedhjeve të përgjithshme të Indisë.
Atje, rreth 3500 metra mbi nivelin e detit, banorët kanë kërkuar shtetësi indiane për Ladakhun, për të siguruar përfaqësim politik, si dhe përfshirjen në listën e gjashtë të kushtetutës kombëtare, e cila u jep të drejta të veçanta zonave fisnore. Organizatorët thonë se të paktën 10 mijë njerëz janë mbledhur në Leh në një ditë muajin e kaluar për ta mbështetur fillimin e grevës javore.
Ladakhu e ka humbur kontrollin special mbi tokën e vet në vitin 2019, pas një lëvizjeje të diskutueshme nga Qeveria qendrore indiane që ua ka hequr shtetësinë ish-shteteve Jammu dhe Kashmir dhe e ka shkëputur Ladakhun, i cili kishte qenë pjesë e tij, në një territor të veçantë.
Kina nuk e njeh atë që ministria e jashtme e ka quajtur “territor të bashkuar të Ladakhut”, duke thënë se “sektori perëndimor i kufirit Kinë-Indi i ka takuar gjithmonë Kinës”. Përveç me Kinën, territori i Ladakhut ndan gjithashtu kufi të diskutueshëm me Pakistanin, fqinj tjetër me të cilin Nju Delhi ka marrëdhënie të vështira.
Tani shumë në Ladakh janë të shqetësuar për dëmet e mundshme të projekteve të ardhshme industriale të mbështetura nga Nju-Delhi, ose që lëvizja e një fluksi të njerëzve aty mund ta ndryshojë demografinë kryesisht fisnore.
“Vetëm vendësit do të mendojnë për gjeneratat e ardhshme, të tjerët do të bëjnë gabime në rastin më të mirë dhe do t’i shesin tokat në rastin më të keq”, ka thënë Sonam Wangchuk, aktivist dhe edukator i njohur në Indi.
Muajin e kaluar Wangchuku ka thënë se pa mbrojtje dhe përfaqësi, “ne nuk do të kemi kontrollin për ruajtjen e këtyre maleve”. Ai ka vënë në dukje planet për një impiant diellor dhe potencialin për më shumë industri që dëmtojnë mjedisin.
Më herët këtë muaj, Wangchuku dhe drejtues të tjerë të shoqërisë civile kanë anuluar marshin e planifikuar paqësor drejt kufirit, që ata kanë thënë se kishte për qëllim zbulimin e tokave të kullotave të humbura nga “kërcënimi” kinez, pasi autoritetet lokale kanë ndaluar mbledhjet e paautorizuara dhe kanë ngadalësuar përkohësisht shpejtësinë e internetit, duke përmendur një “parashikim për shkelje të paqes”.
Disa, siç është presidenti i Ladakhut i partisë Bharatiya Janata (BJP), thotë se mbrojtja e tokës, punës dhe kulturës në Ladakh mund të arrihet përmes metodave të tjera, të cilat liderët vendorë i kanë refuzuar. Ai gjithashtu ka sugjeruar se mosmarrëveshja kufitare është faktori përse kërkesat e tjera nuk do të përmbushen.
“Ne jemi në kufi me Kinën dhe Pakistanin. Si mund të kthehet një vend kaq i ndjeshëm si Ladakhu në shtet menjëherë?”, ka thënë lideri i partisë së vendit, Phunchok Stanzin.
“Mënyra e jetesës është duke ndryshuar”
Traditat nomade të komuniteteve të barinjve që jetojnë nga këto toka dhe shesin leshin e dhive për t'u tjerrë në pashmina luksoze, lesh Kashmir, tashmë është duke u zvogëluar në Ladakh në dekadat e fundit.
Një rritje e turizmit dhe ndikimi nga ndryshimi klimatik – teksa shkrirja e akullnajave dhe ndikimet e tjera nxisin përmbytje, thatësi dhe reduktim të reshjeve të borës – janë ndër faktorët që janë duke ndryshuar mënyrën e jetesës së disa familjeve.
Namgail Phonchoku, 51-vjeçar, fshati i të cilit shtrihet në jug të ujërave të liqenit Pangong që shtrihet nga India në Kinë, ka frikë se fëmijët e tij nuk do të jenë në gjendje ta vazhdojnë mënyrën e tyre të jetesës – duke përfshirë kufizimin e qasjes të tyre në tokat e kullotjes.
“Kur nuk na lejojnë t’i kullosim, atëherë neve na duhet t’i shesim kafshët tona. Ne nuk dimë çfarë pune tjetër të bëjmë kur edhe puna jonë do të largohet, pastaj çfarë do të bëjmë ne?”, ka thënë ai, duke shtuar se “nëse industritë e mëdha vijnë këtu atëherë mjedisi ynë do të shkatërrohet plotësisht”.
Mes ndryshimeve afatgjata dhe kufizimeve të reja mbi tokat e kullotjes, “mënyra jonë nomade do të zhduket”, ka thënë Phonchoku.
Dabuli, në Phobrang, i ka parë këto ndryshime gjithashtu.
Ai thotë se 60 nga 116 shtëpitë në fshatin e tij kanë qenë nomade, kurse tani vetëm 10 prej tyre janë duke e ruajtur traditën për shkak të këtyre faktorëve dhe humbjes së tokave të kullotjes.
“Mënyra nomade e të jetuarit është shumë e rrallë në Indi. Në një shtëpi ke jakë, dele, dhi, kuaj dhe bagëti të tjera ... jakët përdoren për transportim dhe qumësht, djathë dhe gjalpë dhe dhitë për Pashmina. Kjo është mënyra e qëndrueshme e jetesës për ruajtjen e mjedisit”, ka thënë ai. “Kur ushtria tërhiqet nga kufiri i vërtetë, kjo ndikon në fshat ... dhe lëvizja e fiseve nomade kufizohet”, ka shtuar ai.
Nju-Delhi ka mohuar se tensionet kufitare me Kinën janë duke ndikuar në jetën e barinjve atje.
Dhe kryeministri Narendra Modi është marrë me kujdes me çështjen kufitare, duke pretenduar se pas përplasjes kufitare të qershorit të vitit 2020 se “askush nuk ka ndërhyrë” në territorin indian.
Komentet e Modit duket se bien ndesh me ministrin e tij të jashtëm, i cili ka thënë se dhuna ka filluar pasi “pala kineze ka kërkuar të ndërtonte një strukturë në luginën Galwan në anën tonë të LAC-së”. Pekini në atë kohë ka thënë se “asnjë nga përgjegjësitë nuk i takon Kinës”, duke fajësuar trupat indiane për “fillimin e provokimeve” dhe kalimin e kufirit.
Nju-Delhi thotë se dy vende mbeten të kontestuara përgjatë kufirit të Ladakhut pas tërheqjes në zona të tjera të kontestuara pas përplasjes të vitit 2020. Vëzhguesit besojnë se forcat kineze janë duke i bllokuar patrullat indiane në ato zona të kontestuara ku ata kishin qasje më parë.
Në momentet kur ka pasur tërheqje, krijimi i zonave neutrale do të thotë se “të dyja palët janë tërhequr me marrëveshje të ndërsjellë dhe asnjëra palë nuk patrullon atje”, për dallim nga më parë, kur trupat mund të patrullonin sipas kërkesës së tyre, sipas Joshit në Nju-Delhi.
Mbrojtësit e vërtetë
Përgjigjja zyrtare e Nju Delhit – dhe mungesa e transparencës rreth zonave neutrale – ka nxitur debat të brendshëm për pozicionin e Indisë në kufi.
Një raport nga policia e Ladakhut e lëshuar në vitin 2023 ka rritur shqetësimet më tej – duke treguar në detaje se si forcat indiane kanë humbur prezencën e tyre në 26 nga 65 pikat e patrullimit gjatë një periudhe të paspecifikuar. Patrullimi i ulur ka shtyrë humbje të kontrollit mbi zonat e tilla, ku Kina merr zonën ngadalë, ka thënë raporti.
Raporti ka akuzuar gjithashtu Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA) se ka “marrë avantazh” në zonat neutrale të krijuara në bisedimet e shtensionimit, duke kundërshtuar lëvizjen e forcave indiane në zonën neutrale dhe duke kërkuar shtytje të mëtejshme.
Raporti ka vënë në dukje: “Shumë kufizime në lëvizjen e civilëve dhe barinjve pranë zonave të anës indiane, duke treguar strategjinë e tyre ‘të sigurt’ që ata nuk duan ta fyejnë PLA-në duke u dhënë atyre mundësinë për të ngritur kundërshtime për zonat që pretendohen si të diskutueshme”.
Singhi, i cili është gjithashtu lektor në Universitetin e Yales, ka sugjeruar se mungesa e qartësisë në situatën kufitare mund të rrjedhë nga shqetësimet e Modit për epërsinë ushtarake kineze - dhe dëmtimin e imazhit të qeverisë së tij.
Nëse qeveria nacionaliste e Modit do ta pranonte humbjen e kontrollit të territorit, “kjo mund të jetë shumë e vështirë për të, që të mos ndërmarrë veprime agresive për ta rikthyer territorin e humbur”, ka thënë ai.
“Pastaj rreziku i përshkallëzimit të situatës do të ishte shumë i lartë dhe në atë përshkallëzim, mendoj se qeveria e Modit ka frikë se ata mund të poshtërohen – që ata mund të humbin kundër Kinës”.
Por disa nga Ladakhu argumentojnë se ndjeshmëria e rajonit, si mjedisore ashtu edhe ushtarake, është arsyeja për t’iu lënë vendësve më shumë kontroll mbi tokën – duke përfshirë qasjen rreth kufirit.
“Bariu është duke shkuar në mal dhe është duke e mbrojtur çdo ditë”, ka thënë Daduli. “Nëse mbrojtësit e vërtetë sillen në kufi dhe u lejohet të qëndrojnë aty, atëherë çfarë ka mbetur do të mbrohet”.