Botë

“Barcelonë ose vdekje”

Barcelona

Për shumë afrikanë udhëtimi i rrezikshëm për në Spanjë është e ardhmja e vetme. Dhe rruga për aty ua ka sjellë vdekjen mijëra njerëzve. Por kjo nuk po duket të jetë pengesë edhe për të rinjtë

Pamja nga ulësja plastike në të cilën është ulur Fatou Samba, e cila shikon kah deti, më vete shpërfaq shumë elemente të historisë fatkeqe të burrave të zhdukur të Senegalit. Nga aty, mund të shohë në distancë format e anijeve industriale të huaja të peshkimit dhe tankerëve, nga Evropa dhe Kina, të shfaqura në horizont.

Më afër bregut janë shumë barka të drurit për peshkim, derisa lundrojnë qetësisht në detin e zbrazët nga peshqit.

Në plazh, aty ku valët sjellin mbetje të plastikës, ka mbetje ndërtimi. “Ajo ishte xhamia”, thotë Samba. Një pjesë e shtëpisë së saj afër plazhit u shkatërrua,  përfshirë dhomën e saj të gjumit. “Më 19 gusht deti e mori atë, shtratin dhe muret. Shpejt deti do ta marrë të gjithën. Këtë shtëpi e ndërtuan gjyshërit e mi”.

Erozioni dramatik bregdetar në Bargny, ku gjenerata të tëra kanë kaluar jetën rreth peshkimit, është përkeqësuar nga ndërtimi i një porti në ujërat e thella për transport ndërkombëtar, përgjatë vijës bregdetare. Samba thotë se shtëpitë e 17 familjeve fqinje janë shkatërruar nga deti gjatë gjashtë muajve të fundit, nga baticat që vazhdojnë të rriten. Por pamja më prekëse që Samba përjetoi nga ulësja e saj plastike ishte në nëntor, kur djali i saj 22-vjeçar, Thierieno, u largua për në Spanjë.

“Qëndrova këtu duke e parë tek shkonte, duke notuar për tek anija”, tregon Samba tek demonstron notin me një dorë. “Në njërën dorë mbante telefonin e tij jashtë ujit”.

Për Thierienon, të gjente punë ishte e vështirë. Ai nuk mund të ndiqte babanë e tij në industrinë në shuarje të peshkimit, por presioni e nxiti atë, duke e çuar jashtë vendit për t’iu bashkuar migrimit masiv të burrave – dhe në rritje të grave dhe fëmijëve – të cilët janë duke lënë një Senegal ku nuk shohin të ardhme.

“Ai nuk donte të shkonte. As babai i tij nuk donte. Por shokët e tij po i dërgonin mesazhe, video nga Madridi për të shkuar. Dukej sikur ai mendonte se do të ishte i paguximshëm, nëse do të vendoste të qëndronte. Kjo e turpëronte Thierienon”, rrëfen nën emocione Samba.

1,500 kilometra të Oqeanit Atlantik nga Senegali për në ishujt Kanarie, ku njerëzit aplikojnë për dokumente për t’ua lejuar punësimin në Spanjë, është një nga rrugët më të rrezikshme të migrimit në botë. Me një barkë të vogël duhen pesë deri në gjashtë ditë për të mbërritur në destinacion.

Vitin e kaluar zyrtarisht janë regjistruar 10,457 vdekje në atë rrugë. Por janë shumë të tjera që nuk mbërrijnë as në statistika, duke u mbytur pa u regjistruar nga askush.

Migrimi i të rinjve ishte temë kryesore në zgjedhjet e marsit të kaluar. Kjo s’ishte vetëm kërkesë për t’u përballur me papunësinë në rritje të Senegalit dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, por edhe kërkesë për të larguar vendin nga e kaluara si koloni e Francës, përfshirë kthimin e kontrollit të licencave të peshkimit që u jepeshin anijeve të Bashkimit Evropian.

Presidenti i ri i zgjedhur, Bassirou Diomaye Faye, u ka bërë thirrje të rinjve të qëndrojnë në Senegal dhe të mos synojnë “iluzionin” e një të ardhmeje më të mirë diku tjetër.

“Nga tani, do të rritet gjuetia për këta shitës së iluzioneve, këta shitës të vdekjes”, ka thënë ai, duke njoftuar se do të krijohet një linjë telefonike për të raportuar aktivitetet e kontrabandistëve të njerëzve.

Por një vit nga marrja e detyrës nga ai, ka pasur pak shenja të ndryshimit në shkallën e eksodit të rrezikshëm.

Numri i afrikanëve perëndimorë që marrin anije të vogla për të arritur në Kanarie ka pësuar rritje dramatike gjatë tre vjetëve të fundit – nën 20,000 emigrantë kanë arritur në vitin 2022, 32,000 në vitin 2023, dhe rekord 46,843 më 2024, sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex.

Samba dhe dy shoqet e saj listojnë emrat e 13 personave që i njohin që kanë vdekur rrugës për atje gjatë tre muajve të fundit. “Madje edhe vitin e kaluar ishte më mirë. Tani njerëzit shkojnë në mënyrë sekrete”.

Rreziku nuk është vetëm nga kushtet e detit, por edhe nga kualiteti i dobët e pajisjeve të navigimit, madje edhe motorëve – edhe pse prodhuesit në vendet evropiane janë duke shijuar përfitime të mëdha nga shitjet e të dyjave.

Rrezet e forta të diellit po ashtu janë të zakonshme në barkat e hapura. Burri i Ndeye Sallit, Usman Jouff – punëtor ndërtimi dhe baterist – ishte njëri nga shumë burrat nga që u mbytën më 23 shtator.

Jouff ishte nga ata që vdekja në det nuk i erdhi nga përmbytja, por nga ata që ishin në kllapi nga mungesa e hijes, ushqimit dhe ujit, dhe që ranë nga barkat. “Paraardhësit e thirrën atë”, thotë Salli. “Kjo nuk është diçka që ai donte të bënte. Burri tjetër u tha shokëve të anijes se do të shkonte në dyqan dhe u hodh në det. Të tjerët ranë nga barka natën”.

Salli tani po mundohet t’i rrisë si e vetme tetë fëmijët.

“Iu luta Usmanit të mos shkonte”, thotë Salli, derisa mbulon fytyrën duke qarë. “Por ai ishte shumë i lodhur duke u munduar të punonte mjaftueshëm që të ushqejë të gjithë. Unë do t’i ndaloj të gjithë fëmijët e mi të shkojnë me anije”.

Miku i Jouffit, 63-vjeçari Ousseynou Ndiaye, largohet nga vendi ku po qante e veja për të shprehur frustrimin e tij. Ai është i zemëruar ndaj atyre që shkojnë jashtë dhe pastaj mbushin mendjet e njerëzve që po vuajnë në Senegal për një jetë më të mirë, përmes “gënjeshtrave dhe mburrjeve”.

“Rinia nuk është fajtore këtu, nuk është faj i tyre. Janë idetë që u janë dhënë për vendet e tjera. Asnjë njeri nuk është duke vdekur urie në Senegal, ka nga një punë për të gjithë – por ata shohin që një familje që ka dikë jashtë mund të ndërtojë një shtëpi të vogël me paratë që dërgojnë ata”, thotë Ndiyae. “Prandaj ata mendojnë se nuk vlejnë asgjë nëse nuk mund ta bëjnë këtë për familjet e tyre. Të rinjtë po enden duke kërkuar punë; ata kanë nevojë për trajnim dhe punë. Kjo është ajo që mund të bëjë qeveria e re, ajo që premtoi, të krijojë punë”.

Qyteti i Kayarit, me plazhin plot plastikë dhe mbetje të tjera të krijuara nga njeriu, e të sjella nga dallgët, dikur ishte qendër e ngarkuar pune për industrinë lokale të peshkimit. Tani gjithçka aty është e zbrazët ose e mbyllur.

“Kjo ka qenë gjithmonë plot me njerëz. Tani është e zbrazët, vetëm pas pak vitesh”, thotë Jiban Sourey, politikan në Kayar. “Në tetor të 2023-tës, një anije nga ky qytet u zhduk, plot me njerëz dhe ende nuk ka informacione. Por, pavarësisht kësaj, të rinjtë e marrin këtë rrezik, madje po shkojnë të rinj nga 15 vjeç”. 

“Nuk është e lehtë të përhapësh mesazhin se është e mundur të jesh i suksesshëm këtu, sepse po lufton kundër një vale të asaj që të rinjtë e shohin në mediat sociale. Në Kayar, afër plazhit, kemi disa shtëpi të reja që po ndërtohen nga ata që kanë dërguar para në shtëpi, kështu që njerëzit e shohin këtë dhe mendojnë se mund të shkojnë edhe ata në Spanjë dhe të fitojnë para për një shtëpi”, thotë ai. “Dhe nëse ata nuk mësohen si duhet në shkollë, nëse ata nuk trajnohen për diçka tjetër përveç peshkimit, sigurisht që ndihen të detyruar të rrezikojnë. Tani ata nuk iu tregojnë prindërve, thjesht shkojnë. Të gjithë do të donim që fëmijët tanë të qëndronin këtu”.

Dhjetëra njerëz punonin aty para disa vitesh, por sot aty qëndrojnë vetëm tri gra. Ato blejnë ndonjë peshk kur ndonjë anije i sjell, pastaj i përpunojnë dhe i shesin. Këto ditë, puna është shumë e dobët. Familjarë të të gjithëve kanë ikur.

Maguette Dieng nuk dinte për planet e djemve të saj. Ata ishin aty një mbrëmje dhe ikën në mëngjes. Djali i madh, Mussa Gueye, 21 vjeç, mbërriti pa probleme në Spanjë muajin e kaluar, por ajo nuk ka marrë asnjë telefonatë nga Babacar Gueye, 19 vjeç. “Ai është zhdukur”, thotë ajo.

Khady Diack e shikon vazhdimisht telefonin. Është grua e dashuruar që po pret një mesazh nga burri i saj. “Më mungon”, përlotet ajo duke e goditur gjoksin. “Jam e vetmuar. Nëse do të kisha mundësinë, do të shkoja edhe unë. Thjesht dua që ai të kthehet”.

Adama Khoule është mërzitur po ashtu. “Nuk ka kush të ndihmojë, kështu që është e vështirë, madje edhe më të rinjtë po shkojnë. Shumë prej tyre huazojnë para. Djali im ka shkuar dhe i ka lënë borxhet, gjë që më ka shkaktuar shumë probleme. Jemi shumë të lodhur. Thonë ‘Barça wala barsakh’ – Barcelona ose vdekje – ky slogan është ajo që thonë të gjithë”, thotë Khoule.

Si shumica e njerëzve që kanë mbetur pas, ka një ide shumë të paqartë se ku ndodhet Spanja, ashtu siç ka një ide të paqartë edhe kush janë ata që kanë marrë licencat për të peshkuar në ujërat e tyre. “Të huaj”, thotë Khoule. “Të huaj”, përgjigjet njëjtë Diack.

Ass Mbaye ka qenë shumë afër Spanjës, por jo plotësisht. Gjatë një mbrëmjeje të së dielës në Thiaroye, në periferi të Dakarit, fëmijët luajnë në plazh, duke notuar në një det që shkëlqen rozë, ndërsa dielli perëndon. Mbaye qëndron në barkën e braktisur me miqtë e tij Ibrahime Niang, Birane Mbaye dhe Mayoro Niang.

“Ne jemi burrat e fundit në Thiaroye”, thotë me shaka Mbaye. Megjithëse, jo për shumë kohë. Tre nga ta planifikojnë të largohen në javët në vijim. Vetëm Ibrahime Niang ka ndërmend të qëndrojë – ai ka një fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilin nuk do të donte ta linte.

Të tjerët thjesht po presin motin e duhur, barkën dhe mundësinë. Ass Mbaye nuk u nis disa net më parë, sepse nuk i pëlqeu gjendja e detit, por ai është veteran i rrugës së emigrantëve. Ai sapo është kthyer nga Maroku pas pesë përpjekjeve të pasuksesshme për të kaluar nga aty në Spanjë. Është një rrugë alternative për ata që mund ta përballojnë një fluturim për në Marok, ku senegalezët nuk kanë nevojë për vizë, pastaj një barkë – ose not – për në territorin spanjoll.

“Ju kapin, pastaj ju rrahin dhe ju hedhin në shkretëtirë. Duhet të kaloni Saharën për t’u kthyer në këtë vend. Pashë disa trupa të vdekur në rrugë. Disa thjesht nuk ia dalin në shkretëtirë”, rrëfen ai. “Miqtë e mi më thanë të kthehesha në Senegal dhe të përpiqesha të shkoja nga deti. Kështu që këtë do të bëj. Kur ishim më të rinj, as nuk mendohej për t’u larguar nga Senegali. Kush do ta donte? Kishim peshkimin tonë dhe një jetë të mirë”.

Samba e di se djali i saj Thierieno mbërriti pa probleme në Spanjë, por çdo javë ajo sheh njerëz pa përvojë në det që rrezikojnë shumë e më shumë, pasi rrjetet sociale janë plot me të rinj senegalezë që postojnë mashtrime për suksesin në Spanjë.

Ajo lajmëron policinë ose kryetarin e bashkisë nëse sheh të rinj që po përgatiten të largohen në një ditë me mot të keq ose të pasigurt.

“Në këtë komunitet, të gjithë burrat, baballarët, kushërinjtë, fëmijët, madje edhe ata katër vjeç. Burrat që janë nga ky vend, të gjithë shkojnë. Tani është normale”, thotë ajo. “Ne jemi thjesht gra që kemi mbetur”.