Botë

Banka Qendrore Evropiane ul normën e interesit, pasojë e tarifave të Trumpit

Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt të Gjermanisë

Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt të Gjermanisë

Foto: Associated Press

Banka Qendrore Evropiane ka ulur normën kryesore të interesit të enjten, duke marrë për bazë tensionet në rritje të tregtisë, pas vendosjes së tarifave nga presidenti amerikan Donald Trump.

Edhe pse 20 shtetet që përdorin euron kanë thënë se kanë krijuar tashmë mbrojtje kundër shkundjeve tregtare botërore, këndvështrimi për rritjen ekonomike ka lëvizur si pasojë e rritjes së tensioneve, ka thënë BQE-ja në një njoftim publik.

Banka qendrore është një prej institucioneve kyçe botërore që paralajmëron se tarifat mund të dëmtojnë shumë – nga korporatat e mëdha e deri te njerëzit e rëndomtë.

Norma e interesit të BQE-së ka rënë në 2.25 për qind, që veçse pritej.

Është hera e tretë sivjet që kjo normë shkon duke u ulur. Ajo konsiderohet si masë me qëllim për të trajtuar rritjen e ngadalshme ekonomike të eurozonës dhe për të luftuar telashet që mund të vijnë nga tarifat amerikane.

Ulja e normës së interesit nga BQE-ja pritet të nxisë marrjen e kredive nga individët dhe bizneset dhe të ndikojë në rritje të konsumit dhe investimeve. Për shkak të qarkullimit më të madh të parave, mund të ketë edhe rritje të inflacionit ose të ketë stabilizim.