Botë

Bangladeshi evakuon qindra mijëra, teksa një ciklon i fortë i afrohet nga Gjiri i Bengalit

Cikloni ne Bangladesh

Foto: Associated Press

Bangladeshi evakuoi gati 800 mijë njerëz nga zonat e cenueshme të dielën, gjersa vendi dhe India fqinje prisnin ardhjen e një cikloni të fortë që është formuar mbi Gjirin e Bengalit, raporton agjencia “AP”.

Stuhia pritet të përshkojë Bangladeshin dhe brigjet e Bengalit Perëndimor të Indisë rreth mesnatës të së dielës. Departamenti Meteorologjik i Indisë ka paralajmëruar  se stuhia pritet të arrijë shpejtësinë maksimale të erës deri në 120 kilometra në orë, me erëra deri në 135 km që godasin ishullin Sagar të Bengalit Perëndimor dhe rajonin Khepupara të Bangladeshit të dielën mbrëma.

Ministria e  Bangladeshit për menaxhimin të krizave ka njoftuar se vullnetarë janë vendosur për të evakuuar njerëzit në 4 mijë strehimore në të gjithë rajonin bregdetar të vendit. Qeveria mbylli gjithashtu të gjitha shkollat në rajon deri në një njoftim të dytë, raporton Associated Press. 

Aeroporti i Kalkutës në Indi do të mbyllet për 21 orë nga mesnata e së dielës. Bangladeshi mbylli aeroportin në qytetin juglindor të Chattogram dhe anuloi të gjitha fluturimet e brendshme për dhe nga Cox’s Bazar.

Autoritetet e Bangladeshit pezulluan gjithashtu ngarkimin dhe shkarkimin në portin më të madh detar të vendit në Chittagong.

Ky është cikloni i parë në Gjirin e Bengalit përpara sezonit të shirave të këtij viti, i cili zgjat nga qershori deri në shtator.

Reshje të moderuara deri të dendura priten në shumicën e vendeve mbi rrethet bregdetare në shtetin e Bengalit Perëndimor të Indisë. 

Brigjet e Indisë shpesh goditen nga ciklonet, por ndryshimi i modeleve klimatike ka bërë që ato të bëhen më intensive, duke i bërë përgatitjet për fatkeqësitë natyrore më urgjente.