Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka kundërshtuar të mërkurën deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, me të cilën ai në thelb fajësonte Ukrainën për fillimin e luftës me Rusinë në vitin 2022.
“Askush përpos Putinit nuk e ka filluar apo dëshiruar këtë luftë në zemër të Evropës”, ka deklaruar Baerbock, raporton The Guardian.
Ajo ka shtuar se blloku evropian “është duke punuar me të gjitha forcat për të fuqizuar Ukrainën”.
Presidenti amerikan, e kishte fajësuar Ukrainën, pas reagimit të presidentit të saj, Volodymyr Zelensky, që ishte shprehur i habitur që vendi i tij nuk është ftuar në bisedimet e paqes në Arabinë Saudite që kanë nisur të martën mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.
“Jam shumë i zhgënjyer. Kam dëgjuar se, e dini, ata janë të mërzitur që nuk kanë një vend. Epo, ata kanë pasur një vend për tre vjet dhe një kohë të gjatë përpara kësaj. Kjo mund të ishte zgjidhur shumë lehtë... vite më parë, pa humbur shumë tokë, pa humbje jetësh dhe pa humbje të qyteteve”, ka deklaruar Trumpi.