Avokatët e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në deklaratat përmbyllëse në rastin gjyqësor për heshtje, kanë sulmuar kredibilitetin e dëshmitarit kryesor të prokurorisë, duke e quajtur atë “gënjeshtari më i madh i të gjitha kohërave”, raporton “BBC”.
Në fjalimin e tij përmbyllës para jurisë, avokati kryesor i Trumpit, Todd Blanche, e ka quajtur Michael Cohenin gënjeshtar. Cohen ishe dikur avokat i Trumpit.
“Ai është si MVP i gënjeshtrave. Ai gënjen vazhdimisht”, tha Blanche.
Cohen ka pretenduar se Trumpi e kishte udhëzuar të paguante para për ta heshtur aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels. Pagesa prej 130 mijë dollarëve pretendohet se iu bë Danielsit që ajo të mos dilte publikisht të tregonte për një lidhje të pretenduar me Trumpin, para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së të vitit 2016.
Prokurorët pretendojnë se Trump falsifikoi të dhënat financiare në mënyrë që t’ia kthejë paratë Cohenit për pagesën që kishte bërë për Danielsin. Prokurorët thonë se kjo pagesë përbën edhe ndikim të paligjshëm në zgjedhje.
Blanche në fjalimin e tij që e zgjati disa orë tha se Trump nuk kishte qëllim të falsifikonte të dhënat biznesore apo të bënte ndërhyrje në zgjedhje.
Prokuroria ndërkohë tha se Trumpi zgjodhi Cohenin që të gënjente për të.