Botë

Avokatët e Trumpit kërkojnë që të hidhet poshtë dënimi për “paratë për heshtje”

Donald Trump

Foto: Associated Press

Avokatët e Donald Trumpit i kanë thënë gjyqtarit të rastit se dënimi i tij për rastin e njohur si “paratë për heshtje” ndaj një ylli të filmave për të rritur, duhet të hidhet poshtë, sepse Trumpi ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhe dënimi do të kërcënonte stabilitetin e qeverisë.

Në një letër të depozituar të martën dhe të bërë publike të mërkurën, avokatët e presidentit të zgjedhur republikan i kërkuan gjyqtarit të Gjykatës së Lartë të Shtetit të New Yorkut, Juan Merchan, leje për të paraqitur një mocion formal, në të cilin do të paraqesin argumentet e tyre deri më 20 dhjetor, raporton Reuters.

“Ashtu sikur një president në detyrë është i imunizuar nga çdo proces penal, ashtu është edhe presidenti Trump si president i zgjedhur”, kanë shkruar avokatët.

Trump, 78 vjeç, ishte planifikuar të dënohej më 26 nëntor, por Merchan javën e kaluar i ndërpreu të gjitha procedimet në këtë çështje me kërkesë të zyrës së Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.

Zyra e Bragg ka thënë se do të kundërshtojë kërkesën e Trumpit për të pushuar çështjen dhe sugjeroi që të ndërpritej derisa Trumpi të përfundonte mandatin e tij presidencial katërvjeçar, duke filluar nga 20 janari, megjithëse nuk e miratoi në mënyrë eksplicite këtë opsion.

Trumpi, president nga 2017-2021, shpreson të hyjë në detyrë për një mandat të dytë i pangarkuar nga ndonjë nga katër çështjet penale me të cilat është përballur, dhe për të cilat disa kundërshtarë kishin parashikuar se do të dëmtonin kandidaturën e tij në vitin 2024 për t'u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Republikani Trump u dënua në maj për falsifikim të të dhënave të biznesit për të mbuluar një pagesë prej 130,000 dollarësh që ish-avokati i tij Michael Cohen i kishte bërë aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels për heshtjen e saj para zgjedhjeve të vitit 2016, në lidhje me një marrëdhënie seksuale që ajo thotë se kishte me Trumpin, e të cilin ai e mohon.

Ishte hera e parë që një president i SHBA-ve, ishte dënuar ose akuzuar për një vepër penale.

Trumpi u deklarua i pafajshëm në këtë rast, të cilin ai e ka portretizuar prej kohësh si një përpjekje të motivuar politikisht nga Bragg, një demokrat, për të ndërhyrë në fushatën e tij.