Pesëmbëdhjetë persona në Korenë e Jugut janë plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë, pasi disa avionë luftarakë kanë hedhur aksidentalisht tetë bomba në një lagje civile gjatë një stërvitjeje ushtarake, njoftuan mediat lokale.
Incidenti me avionët KF-16 të Forcave Ajrore ka ndodhur reth orës 10:04 me orën lokale në qytetin Pocheon, pranë kufirit me Korenë e Veriut, raporton BBC.
Forca Ajrore e Koresë së Jugut ka thënë se po heton incidentin dhe ka kërkuar falje për dëmin, duke shtuar se do të ofronte kompensim për të prekurit.
Sipas mediave lokale, dy persona kanë pësuar fraktura në qafë dhe shpatulla.
Ushtria ka njoftuar se piloti i njërit prej avionëve ka futur gabimisht koordinatat e gabuara, duke shkaktuar rënien e bombave në komunitetin civil.
Hetuesit duhet të përcaktojnë se përse avioni i dytë ka hedhur bombat e tij, sipas ushtrisë, duke shtuar se të gjitha ushtrimet me zjarr do të pezullohen.
Si pasojë e incidentit janë dëmtuar edhe një objekt kishe dhe shtëpi.
Ministria e Mbrojtjes ka thënë se trajnimi të enjten lidhej me një stërvitje të përbashkët me forcat amerikane.
Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të zhvillojnë stërvitje të kombinuara nga 10 deri më 20 mars, të parat që nga kthimi i presidentit amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kjo vjen në një kohë kur të dy vendet janë gjithnjë e më të kujdesshme ndaj aleancës në rritje midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.