Botë

Avancojnë bisedimet për koalicionin qeverisës në Gjermani

Friedrich Merz

Fituesit e zgjedhjeve në Gjermani, konservatorët (CDU) e Friedrich Merzit, dhe socialdemokratët (SPD) e kancelarit në ikje, Olaf Scholz, kanë njoftuar të shtunën se i kanë përfunduar bisedimet paraprake për formimin e qeverisë së re të Gjermanisë.

Merz, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë kancelari i ardhshëm, ka ritheksuar programin e tij për të kufizuar imigracionin e paligjshëm dhe për të ulur çmimet e energjisë.

Bashkëudhëheqësi i SPD-së, Lars Klingbeil, po ashtu iu tha gazetarëve se shpreson që partitë do të arrijnë konsensus në çështjet thelbësore dhe të rëndësishme të politikës kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare.

Faza e dytë dhe finale e bisedimeve pritet të fillojë javën e ardhshme.

Konservatorët e CDU-së dhe socialdemokratët (SPD) kishin filluar bisedimet e para për formimin e koalicionit me datë 4 mars.