Botë

Autoritetet bjelloruse me një valë të re të bastisjeve dhe konfiskimeve të pronave të opozitarëve

Alexander Lukashenko

Alexander Lukashenko

Foto: Associated Press

Autoritetet në Bjellorusi të martën kanë kryer bastisje dhe sekuestrim të pronave duke shënjestruar mbi 200 aktivistë të opozitës, shkruan agjencia “AP”. Është hapi i radhës i goditjeve të vazhdueshme të pushtetit ndaj kundërshtarëve. 

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, nisi shtypjen në gusht të vitit 2020 në përgjigje të protestave masive pas rizgjedhjet së tij si president. Zgjedhjet konsiderohen nga opozita por edhe nga Perëndimi si të manipuluara. Mbi 35 mijë persona janë arrestuar, mijëra janë rrahur brutalisht në paraburgim, dhjetëra organizata të pavarura të lajmeve dhe grupe të të drejtave janë mbyllur dhe janë burgosur gazetarë. 

Rreth 500 mijë persona, përfshirë figura kryesore të opozitës, janë larguar nga vendi që nga atëherë. Dhe autoritetet këtë vit filluan një fushatë kundër bjellorusëve që kanë ikur jashtë vendit, e të cilët bëjnë thirrje për sanksione më të ashpra ndaj qeverisë së Lukashenkos. 

Komiteti Hetues Bjellorus ka hapur rast penal ndaj 257 aktivistëve që kërkonin një vend në Këshillin Koordinues në mërgim, të themeluar nga politikanët e opozitës në vitin 2020 si një parlament alternativ. Ata kishin shpallur zgjedhje online për 80 vende në Këshill, zgjedhje që planifikohen të mbahen më 25-27 maj. 

Aktivistët, shumica e të cilëve janë larguar nga vendi, akuzohen “për komplot për ta rrëzuar qeverinë”, “kërkim për sanksione” dhe “formim të një grupi ekstremist”. Të arrestuarit me këto akuza mund të përballen deri me 12 vjet burgim. 

Zëdhënësi i Komitetit, Sergei Kabakovich, ka thënë se “arrestimet, kërkimet dhe sekuestrimi i pronave” po zhvillohen në të gjithë Bjellorusisë dhe se erdhën si pjesë e një hetimi në shkallë të gjerë të Këshillit Koordinues. 

Pavel, ish-ministër, i ka thënë “Associated Press”, se autoritetet po intensifikojnë represionet kundër bjellorusëve si ata që janë brenda vendit ashtu edhe ata jashtë, nga frika se mund të shpërthejnë sërish protesta masive. 

“Regjimi i Lukashenkos ka frikë nga çdo alternativë politike dhe ka filluar një fazë tjetër të persekutimit penal kundër të gjithë pjesëmarrësve të zgjedhjeve për Këshillin Koordinues. Edhe një përpjekje për t’i trembur bjellorusët, të cilët mbajnë qëndrime kundër autoriteteve dhe politikave të tyre”, ka thënë Pavel. 

Opozita e kishte shënuar të martën, 21 maji, si ditë solidarizimi me të burgosurit politikë në Bjellorusi. 

Sipas “Viasnas”, grupit më të vjetër e më të shquar për të drejtuat e njeriut në Bjellorusi, aktualisht janë 3192 të burgosur bjellorusë dhe se po ndodhin arrestime çdo ditë. 

Ai ka thënë se të paktën pesë të burgosur politikë kanë vdekur prapa grilave. 

Javën e kaluar autoritetet bastisën dhe sekuestruan pronat lokale të 104 bjellorusëve, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe janë kritikë të zëshëm të qeverisë. 

Zyrtarët perëndimorë javën e kaluar përsëritën thirrjet për autoritetet bjelloruse që t’i lirojë të burgosurit politikë dhe t’i jap fund goditjes. 

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në një deklaratë për media ka thënë se regjimi i Lukashenkos po synon gjithnjë e më shumë edhe ata që kanë ikur nga vendi.