Të paktën 28 persona kanë vdekur dhe 20 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku në Pakistan.
Mediat raportojnë se një autobus me pasagjerë i cili po lëvizte me shpejtësi të madhe ka rënë nga një autostradë në një luginë shkëmbore.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në jugperëndim të Pakistanit.
Zyrtari policor, Asghar Ali, ka thënë se vozitësi e kishte humbur kontrollin e autobusit në qytetin Washuk, derisa po udhëtonte drejt Turbatit. Sipas autoriteteve shoferi është në mesin e të vdekurve.
Policia i ka transportuar të lënduarit për në spital, derisa disa prej tyre raportohet se janë në gjendje të rëndë.
Aksidentet rrugore janë të shpeshta në Pakistan kur rregullat e trafikut dhe standardet e sigurisë ndiqen rrallëherë, madje edhe në rrugët më të vështira.
Aksidenti i fundit ka ndodhur tri ditë pasi 13 anëtarë të një familjeje kanë vdekur si pasojë e një përplasjeje ndërmjet një kamioni dhe një furgoni në provincën lindore Punjab.