Botë

Austria shtrëngon kontrollet kufitare pasi Gjermania legalizon kanabisin

kanabis

Austria do të shtojë kontrollet policore në pikat kufitare me Gjermaninë pasi kjo e fundit legalizoi posedimin e sasive të kufizuara të kanabisit për përdorim rekreativ, ka thënë Ministria e Brendshme.

Vendimi i Gjermanisë hyri në fuqi të hënën, dhe sipas tij, posedimi deri në 25 gramë i marihuanës lejohet për qëllime rekreative dhe po ashtu u lejon individëve të rrisin deri në tri bimë për përdorim personal.

Shtetet evropiane kanë një sërë rregullash për kanabisin, i cili mbetet ilegal për përdorim rekreativ në shumicën e vendeve. Austria nuk e ka në plan ta ndjekë Gjermaninë dhe ka thënë se është e vendosur që të parandalojë çdo tregti kufitare, raportoi AP. 

“Policia do të kryejë kontrolle të shpeshta, posaçërisht në zonat afër kufirit, për t’i nxjerrë nga qarkullimi substancat e varësisë dhe shoferët nën ndikimin e drogave”, ka thënë ministri i Brendshëm, Gerhard Karner.

Karner ka thënë se në terren do të jenë policë në rroba civile e specialistë të trajnuar që të dallojnë simptomat e njerëzve.