Botë

Australianët protestojnë kundër dhunës ndaj grave

Protesta kunder dhunes ndaj grave

Getty Images

Janë mbajtur protesta në mbarë Australinë në përgjigje të një vale të fundit të dhunës ndaj grave, raporton “BBC”.

Protestuesit po kërkojnë që dhuna me bazë gjinore të shpallet emergjencë kombëtare dhe të vendosen ligje më të rrepta për ta ndaluar atë.

Kryeministri Anthony Albanese ka theksuar se çështja ishte një krizë kombëtare.

Në Australi, një grua është vrarë mesatarisht çdo katër ditë deri më tani këtë vit.

“Ne duam opsione alternative të raportimit për të mbijetuarat që t’i lejojnë të tregojnë storien e tyre”, tha organizatorja e tubimit në Melbourne, Martina Ferrara. 
“Dhe ne duam që qeveria të pranojë se ky është një veprim urgjent dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme”.

Duke folur në një marshim në kryeqytetin Canberra ku morën pjesë mijëra protestues, Albanese pranoi se qeveria në të gjitha nivelet duhet të bëjë më shumë, ka raportuar BBC.

“Ne duhet të ndryshojmë kulturën, qëndrimet, sistemin ligjor dhe qasjen”,  ka theksuar ai. “Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos varet nga gratë, por nga burrat që të ndryshojnë sjelljen e burrave gjithashtu”.

Duke iu përgjigjur thirrjeve të protestuesve që dhuna ndaj grave të klasifikohej si një emergjencë kombëtare, Albanese ka theksuar se klasifikimi zakonisht përdorej gjatë përmbytjeve ose zjarreve.  Komentet e tij nxitën reagime.

Por prokurori i përgjithshëm federal i Australisë, Mark Dreyfus, ka refuzuar mbajtjen e një komisioni mbretëror për dhunën me bazë gjinore.

Albanese e ka quajtur vazhdimisht dhunën me bazë gjinore një epidemi, por kjo nuk është diçka e re: në vitin 2021, marshime u zhvilluan në të gjithë vendin mbi akuzat për sjellje të pahijshme seksuale brenda qeverisë.

Vrasjet e fundit e kanë vënë këtë çështje përsëri në qendër të vëmendjes.

Në fillim të këtij muaji, një burrë vrau me thikë gjashtë persona në një qendër tregtare të Sydneyt. Pesë nga viktimat ishin gra dhe policia po shqyrton nëse ato ishin objektivi.
Në total, 27 gra janë vrarë në 119 ditët e para të vitit 2024, sipas të dhënave të përpiluara nga grupi i fushatës “Destroy the Joint”.