Botë

Australia do të rekrutojë në ushtri edhe shtetas të huaj

Ushtria e Australisë

Australia ka njoftuar të martën se dëshiron të shtojë numrin e trupave ushtarake duke rekrutuar shtetas të huaj.

Ministri i Mbrojtjes i vendit, njëkohësisht zëvendëskryeministri, Richard Marles e ka quajtur këtë masë një hap të madh drejt adresimit të mungesës së 4.400 trupave në Forcën e Mbrojtjes së Australisë, e cila synon të ketë 63 mijë trupa me kohë të plotë. 

Qeveria synon ta rrisë këtë numër në 80 mijë deri në vitin 2040, raporton “Associated Press”.

Që nga korriku banorët e përhershëm të Zelandës së Re që kanë jetuar në Australi për të paktën një vit, mund të bashkohen me ushtrinë australiane.

Edhe banorët e përhershëm nga partnerët e tjerë të Australisë, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania, do ta kenë këtë të drejtë që nga janari i vitit të ardhshëm.