Botë

“Atlantic” publikon detaje të reja nga biseda e zyrtarëve të Trumpit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Revista “The Atlantic” ka publikuar të mërkurën detaje të reja, nga ato për të cilat thotë se këshilltarët e Trumpit kanë ndarë në bisedën e grupit tashmë famëkeq “Signal”. 

Revista akuzon administratën e Trumpit për minimizimin e rëndësisë së mesazheve që i janë dërguar pa dashje kryeredaktorit të Atlantic, Jeffrey Goldberg.

Goldberg "ishte shtuar gabimisht" në grupin në aplikacionin "Signal" ku ishin edhe zyrtarët më të lartë amerikanë si zëvendëspresidenti JD Vance, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Ata po diskutonin planet për sulme ndaj grupit Houthi në Jemen.

Publikimi sipas udhëheqësve të revistës po bëhej pasi zyrtarët në administratën Trump kritikuan “The Atlantic” dhe kryeredaktorin e saj Jeffrey Goldberg për raportin e tij fillestar, duke pretenduar se mesazhet nuk përfshinin informacion të klasifikuar.

Goldberg dhe Shane Harris të "The Atlantic" kanë thënë se këto deklarata "na kanë bërë të besojmë se njerëzit duhet t'i shohin tekstet në mënyrë që të arrijnë në përfundimet e tyre".

“Ekziston një interes i qartë publik në zbulimin e llojit të informacionit që këshilltarët e Trumpit përfshinin në kanalet e komunikimit jo të sigurt, veçanërisht për shkak se figura të larta të administratës po përpiqen të minimizojnë rëndësinë e mesazheve që u shpërndanë”, kanë thënë ata. 

Shefat e inteligjencës amerikane merren në pyetje nga ligjvënësit

3 j. më parë / 26 mar 2025 15:24
Administrata Trump

Kash Patel, Tulsi Gabbard dhe John Ratcliffe

Photo: Associated Press

Komisioni i Përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën po zhvillon një seancë dëgjimore me zyrtarë të administratës Trump dhe anëtarë të kabinetit, ku ata pritet të përballen me pyetje në lidhje me skandalin e bisedës në “Signal”.

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, drejtori i FBI-së, Kash Patel, drejtori i Agjencisë së Përgjithshme të Sigurisë Kombëtare, Timothy Haugh dhe drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, gjeneral-lejtant Jeffrey Kruse pritet të dëshmojnë të gjithë në seancë, raporton CNN. 

Seanca dëgjimore vjen pasi “The Atlantic” publikoi më shumë mesazhe mëngjesin e së mërkurës nga biseda në grup, të cilat përgënjeshtrojnë pretendimin e zyrtarëve të administratës Trump se planet e sulmeve në Jemen nuk u diskutuan në bisedën ku u shtua pa dashje kryeredaktori i revistës, Jeffrey Goldberg.

Çka ishte diskutuar në “Signal” mes zyrtarëve të lartë amerikanë?

3 j. më parë / 26 mar 2025 14:03
Mike Waltz dhe Pete Hegseth

Photo: Associated Press

Më 15 mars, SHBA-ja ka nisur atë që e ka përshkruar si një seri sulmesh ajrore "vendimtare dhe të fuqishme" kundër Houthis në Jemen.

Jeffrey Goldberg ka shkruar se katër ditë më parë, më 11 mars, kishte marrë një kërkesë për lidhje në aplikacionin e koduar të mesazheve “Signal” nga një llogari që supozohej të ishte e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Waltz.

“Signal” përdoret nga gazetarët dhe zyrtarët e Uashingtonit, për shkak të natyrës së sigurt të komunikimit të tij, aftësisë për të krijuar pseudonime dhe për të dërguar mesazhe që zhduken.

Një numër llogarish që dukej se u përkisnin anëtarëve të kabinetit dhe zyrtarëve të sigurisë kombëtare u përfshinë në bisedë, sipas Goldberg.

Llogaritë e etiketuara "JD Vance", emri i zëvendëspresidentit, "Pete Hegseth", sekretari i Mbrojtjes, dhe "John Ratcliffe", drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), ishin ndër emrat e përfshirë në bisedë. Zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare nga agjenci të ndryshme ishin shtuar gjithashtu.

Goldberg ka thënë se ai shikonte teksa në grup diskutoheshin objektivat dhe oraret e sulmeve ushtarake. 

Dhe këto plane u shfaqën të sakta kur SHBA-ja më vonë nisi sulmet ajrore ndaj Houthis në Jemen që përputheshin me detajet nga biseda në grup.