Fati i 120 pengjeve të mbetura në Gaza është kyç për marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. Por, një zyrtar i Hamasit i ka thënë CNN-it se “askush nuk ka ide” sa prej tyre janë gjallë dhe se çdo marrëveshje për lirimin e tyre duhet të përfshijë garancinë për armëpushim dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Zëdhënësi i Hamasit, Osama Hamdan, ka thënë se propozimi i fundit – një plan izraelit që u bë publik nga presidenti amerikan – nuk përmbushte kërkesat e grupit militant për përfundimin e luftës.
Hamdan ka theksuar se Hamasit i nevojitej “një pozicion i qartë nga Izraeli për ta pranuar armëpushimin, tërheqja e plotë nga Gaza, dhe t’i lihej palestinezëve të vendosnin të ardhmen e tyre, rindërtimi... dhe ne jemi të gatshëm të bisedojmë për një marrëveshje të drejtë për shkëmbimin e të burgosurve”.
Ai ka insistuar se marrëveshja duhej bërë për armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të trupave të Izraelit.
“Izraelitët duan armëpushim vetëm për gjashtë javë dhe më pas duan t’i kthehen luftimeve, që mendoj se amerikanët deri tani nuk i kanë bindur izraelitët të pranojnë një armëpushim të përhershëm”, ka thënë ai.