Botë

Arrin në mbi 3,400 numri i të vdekurve nga tërmeti në Birmani

Birmani

Foto: Associated Press

Ka shkuar në 3,471 numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit të fuqishëm që ka goditur Birmaninë më 28 mars.

Numri i të lënduarve është 4,671 ndërkaq të paktën 214 persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur, raporton Reuters.

Shirat që kanë rënë gjatë fundjavës në disa pjesë të Birmanisë të goditur nga tërmeti, kanë komplikuar përpjekjet e ndihmës dhe kanë shtuar rrezikun e sëmundjeve pasi shefi i ndihmës i Kombeve të Bashkuara ka thënë se duheshin më shumë tenda për të strehuar ata që kanë mbetur të pastrehë.

Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se kombinimi i shirave dhe nxehtësisë ekstreme mund të shkaktojë shpërthime sëmundjesh, përfshirë kolerën, mes të mbijetuarve të tërmetit që janë duke qëndruar në ambient të hapur.

"Familjet që flenë jashtë rrënojave të shtëpive të tyre, ndërsa trupat e të dashurve tërhiqen nga rrënojat. Frikë e vërtetë nga tërmete të tjera”, ka thënë shefi i ndihmës i OKB-së, Tom Fletcher në një postim në X.

Fqinjët e Birmanisë si Kina, India dhe vendet e Azisë Juglindore, janë ndër ata që kanë dërguar ndihma dhe shpëtimtarë gjatë javës së kaluar për të ndihmuar përpjekjet e rimëkëmbjes në zonat e goditura nga tërmeti, ku jetojnë rreth 28 milionë njerëz.

Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin deri vonë donatori kryesor humanitar në botë, i kanë premtuar të paktën 9 milionë dollarë Birmanisë për të mbështetur komunitetet e prekura nga tërmeti, por zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët amerikanë thonë se përfundimi i programit të saj të ndihmës së huaj ka ndikuar në reagimin e saj.

Në Tajlandën fqinje, autoritetet kanë thënë se numri i të vdekurve të vendit nga tërmeti ishte rritur në 24. Prej tyre, 17 kanë vdekur në vendin e një rrokaqiell në kryeqytet, Bangkok, që është shembur ndërsa ishte në ndërtim e sipër. 77 të tjerë ishin ende të zhdukur atje.