Botë

Arrin në 37 numri i të vdekurve në Gaza si pasojë e sulmeve ajrore izraelite

Gaza

(E përditësuar) - Të paktën 37 persona janë vrarë në Gaza gjatë së martës, nga sulmet të ndryshme izraelite, raporton Reuters.

Dy sulme ajrore izraelite kanë vrarë pesë palestinezë në Rafah në jug të Rripit të Gazës dhe në Zeitoun të qytetit të Gazës, kanë thënë mjekët.

Në Khan Younis, në jug të enklavës, gjashtë palestinezë janë vrarë nga një sulm ajror në një tendë ku kishte njerëz të zhvendosur, sipas mjekëve. 

Disa orë më vonë në perëndim të Khan Younisit janë vrarë edhe gjashtë palestinezë të tjerë, si pasojë e goditjes së një veture.  

Të paktën 21 palestinezë të vrarë nga sulmet ajrore në Gaza

Të paktën 21 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza të martën, kanë thënë mjekët lokalë. Luftimet janë shtuar teksa ushtria izraelite ka thënë se po i shënjestron qendrat e komandës të përdorura nga militantët e Hamasit, raporton Reuters.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë kanë thënë se të paktën 13 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë nga dy sulme izraelite në dy shtëpi të Nuseiratit, kamp refugjatësh.

Një tjetër sulm në një shkollë që strehonte familje të zhvendosura palestineze në qytetin e Gazës ka vrarë të paktën shtatë persona, kanë shtuar mjekët.

Ushtria izraelite ka thënë në një deklaratë se sulmet ajrore kanë shënjestruar militantët e Hamasit që vepronin nga një qendër e komandës në një kompleks që ka shërbyer më herët si shkolla “Al-Shejaia”.

Krahu i armatosur i Hamasit, Xhihadi Islamik dhe fraksionet e tjera më të vogla militante kanë thënë në deklarata të veçanta se luftëtarët e tyre kanë sulmuar forcat izraelite që vepronin në disa zona të Gazës me raketa antitank, mortaja dhe pajisje shpërthyese. 

Disa palestinezë kanë thënë se kanë frikë se kalimi i fokusit izraelit drejt Libanit mund ta zgjasë konfliktin në Gaza, i cili shënon përvjetorin e tij të parë javën e ardhshme.

“Sytë e botës tani janë te Libani ndërsa vazhdojnë vrasjet në Gaza. Kemi frikë se lufta do të vazhdojë për shumë më shumë muaj”, ka thënë Samir Mohammed, 46-vjeçar, baba i pesë fëmijëve nga qyteti i Gazës. “Tani gjithçka është e paqartë pasi Izraeli shfaq forcën e tij të papenguar në Gaza, Jemen, Siri, Liban dhe Zoti e di se ku tjetër në të ardhmen”.