Grupet politike evropiane ranë dakord të martën për një marrëveshje për postet kryesore të Bashkimit Evropian, duke zgjedhur Ursula von der Leyen të Gjermanisë për një mandat të dytë si kryetare e Komisionit Evropian, kanë thënë burimet për Reuters.
Tri grupet kryesore politike centriste kanë rënë dakord për marrëveshjen që do ta bënte gjithashtu ish-kryeministrin portugez Antonio Kosta president të Këshillit Evropian dhe kryeministren estoneze, Kaja Kallas shefen e politikës së Jashtme të BE-së, thanë burimet.
Marrëveshja, e raportuar fillimisht nga gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “dpa newswire”, u arrit nga negociatorët për aleancat e partisë së qendrës së djathtë, qendrës së majtë dhe liberale evropiane.
Von der Leyen, Costa dhe Kallas pritej të merrnin postet kryesore, por udhëheqësit kombëtarë të BE-së nuk ranë dakord për paketën kur u takuan për një darkë javën e kaluar.
Me mbështetjen e tri grupeve të mëdha partiake, marrëveshja pritet të konfirmohet së shpejti kur liderët kombëtarë të takohen përsëri në një samit në Bruksel të enjten dhe të premten.
Megjithatë, von der Leyen do të ketë nevojë gjithashtu për mbështetjen e Parlamentit Evropian për të siguruar një mandat të dytë.
Diplomatët thonë se ky nuk është përfundim i paracaktuar dhe ajo ka të ngjarë të ketë nevojë për mbështetje nga ligjvënësit përtej tri grupeve që e mbështesin zyrtarisht.