Botë

Arrihet marrëveshja e armëpushimit në Liban

Liban

Foto: Associated Press

Izraeli dhe Libani kanë pranuar marrëveshjen e armëpushimit, ka deklaruar të martën presidenti amerikan, Joe Biden. Ai ka falënderuar për kontributin presidentin e Francës, Emmanuel Macron. E kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë gjatë një fjalimi se në mirëkuptim të plotë me SHBA-në, Izraeli ruan lirinë e plotë ushtarake të veprimit nëse marrëveshja shkelet

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar të martën se Izraeli dhe Libani kanë pranuar marrëveshjen e armëpushimit, e cila parasheh t’u japë fund luftimeve në Liban, raporton agjencia “AP”. 

“Kam lajme të mira nga Lindja e Mesme. Kam folur me kryeministrat e Izraelit dhe të Libanit dhe qeveritë e tyre kanë pranuar propozimin e SHBA-së që t’i japin fund konfliktit. Falënderoj presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që ndihmoi në arritjen e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë presidenti i SHBA-së, Biden. 

Ai ka bërë të ditur se marrëveshja do të hyjë në fuqi në ora 04:00 të së mërkurës me kohë lokale, e luftimet ndërkufitare do të ndalen. 

“Të jemi të qartë, Izraeli nuk e nisi këtë luftë, as populli libanez nuk e kërkoi atë luftë, as Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.

Marrëveshja e armëpushimit, që është pranuar nga Izraeli e Libani, kërkon që të ndalen luftimet dhe që të mbarojë prania e armatosur e Hezbollahut në një zonë të gjerë në jug të Libanit, ndërsa trupat izraelite do të largohen nga territori libanez.
Mijëra trupa shtesë libaneze dhe paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara do të vendosen në jug të Libanit dhe një panel ndërkombëtar i drejtuar nga SHBA-ja do të monitorojë nëse palët po sillen në pajtueshmëri me marrëveshjen. 

Izraeli ka kërkuar të drejtën për të vepruar nëse Hezbollahu i shkel detyrimet e veta. 

Bideni tha se Izraeli ka të drejtën për t’i rifilluar shpejt operacionet në Liban nëse Hezbollahu thyen kushtet e armëpushimit, por se marrëveshja është krijuar “për fundin e përhershëm të armiqësive”. 
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vlerëson përpjekjen e SHBA-së për ta siguruar marrëveshjen, por “rezervon të drejtën për të vepruar kundër çdo rreziku ndaj sigurisë së Izraelit”.  

“Ky ka qenë konflikti më vdekjeprurës mes Izraelit dhe Hezbollahut në dekada”, ka thënë Biden. 

Kabineti izraelit i sigurisë ka votuar të martën, 10-1, në favor të një marrëveshjeje armëpushimi për t'iu dhënë fund luftimeve me grupin militant Hezbollah në Liban.

Netanyahu ka thënë gjatë fjalimit të tij se ekzistojnë tri “arsye kryesore" që ai dëshiron një armëpushim me Hezbollahun në Liban.

Kryeministri ka përmendur “fokusin në kërcënimin iranian” si arsye të parë duke shtuar se nuk donte ta zgjeronte atë. Hezbollahu është një grup militant i mbështetur nga Irani në Liban. 

Një arsye e dytë, ka thënë ai, është "t'u jepnim forcave tona një frymë dhe të rimbushim rezervat".
Ndërkaq, së treti, ai ka përmendur luftën e Izraelit në Gaza. 

“Hamasi po llogariste që Hezbollahu të luftonte në krah të tij. Me Hezbollahun jashtë skenës, Hamasi ka mbetur i vetëm. Ne do të rrisim presionin tonë mbi Hamasin, dhe kjo do të ndihmojë në lirimin e pengjeve që mbahen ende në enklavë”, ka deklaruar Netanyahu.

Netanyahu gjithashtu ka thënë se ushtria izraelite e ka shtyrë Hezbollahun pas me dekada, duke vrarë disa nga komandantët e tij të lartë dhe duke shkatërruar infrastrukturën e tij.

Ndërkohë udhëheqësi i Hezbollahut, Mahmoud Qamati, ka deklaruar se grupi nuk e ka parë ende marrëveshjen përfundimtare të armëpushimit me Izraelin.

“Pas shqyrtimit të marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria armike, ne do të shohim nëse ka një përputhje mes asaj që kemi deklaruar dhe asaj për të cilën është rënë dakord nga zyrtarët libanezë”, ka thënë ai. "Ne duam një fund të agresionit, sigurisht, por jo në kurriz të sovranitetit të shtetit të Libanit”.

Ministri ekstremist i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka thënë se është kundër marrëveshjes së armëpushimit me Hezbollahun.

Në një postim në platformën “X”, ai ka përshkruar atë si një "gabim historik", por nuk ka thënë nëse partia e tij do të tërhiqet në shenjë proteste.

“Ky nuk është një armëpushim. Është një rikthim në konceptin e heshtjes për heshtje, dhe ne kemi parë tashmë se ku të çon kjo”, ka shkruar Ben-Gvir.

Kryeministri i Libanit, Najib Mikati, ka thënë se e sheh marrëveshjen si “hap vendimtar përpara rikthimit të qetësisë dhe stabilitetit në Liban dhe mundësimit të rikthimit të personave të zhvendosur në qytetet e tyre”.

Ai ka shtuar se marrëveshja mundëson edhe stabilitetin në rajon.

“Teksa vlerësoj përpjekjet e përbashkëta të SHBA-së dhe Francës në arritjen e këtij mirëkuptimi, rikonfirmoj përkushtimin e qeverisë për të zbatuar Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke rritur praninë e ushtrisë së Libanit në jug dhe bashkëpunimin me Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL)”, ka thënë Mikati.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se do të punojë për të arritur marrëveshje armëpushimi edhe në Gaza.

“Populli i Gazës e meriton një fund të luftimeve dhe të vendosjeve. Njerëzit në Gaza kanë kaluar nëpër ferr dhe kanë vuajtur shumë”, ka thënë Biden. 

Ai tha se Hamasi ka vetëm një zgjedhje. 

“Rrugëdalja e vetme është të lirohen pengjet të marra në Izrael vitin e kaluar, dhe t’u japin fund luftimeve, që do të lejonin hyrjen e ndihmës”, deklaroi Biden, që shtoi se SHBA-ja do t’i vazhdojë përpjekjet për arritjen e armëpushimit në Gaza. 

Po ashtu Biden tha se SHBA-ja është e përgatitur për të bërë “marrëveshje historike” për krijimin e një shteti palestinez dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit. 

“Besoj se kjo agjendë mbetet e mundur”, tha Biden. 

Ai ka thënë se vendimi i marrë nga udhëheqësit e Izraelit dhe të Libanit për ta pranuar armëpushimin e propozuar nga SHBA-ja dëshmon se “paqja është e mundur”.  

Marrëveshja për armëpushim në Liban u përshëndet edhe nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Lexo përditësimet tjera
Liban

Netanyahu i kërkon kabinetit të tij që ta miratojë armëpushimin me Hezbollahun

Kabineti izraelit i sigurisë ka votuar të martën në favor të një marrëveshjeje armëpushimi për t'i...