Një burrë polak është arrestuar dhe akuzohet se po bashkëpunonte me inteligjencën ruse për të kryer një atentat të mundshëm ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë bërë të ditur autoritetet.
Prokurorët polakë kanë thënë se personi, i quajtur Pawel K, dyshohet se kishte për detyrë të mblidhte informacione për një aeroport në Poloni të përdorur nga presidenti i Ukrainës, raporton BBC.
Arrestimi i tij është bërë në bazë të inteligjencës ukrainase. Autoritetet nuk kanë specifikuar nëse burri tashmë ka dhënë ndonjë informacion.
Pawel K mund të përballet me deri në tetë vjet burgim nëse shpallet fajtor. Ai ndodhet në ruajtje derisa hetimi po vazhdon.
Në një deklaratë, prokurorët polakë pretenduan se Pawel K i kishte ofruar shërbimet e tij inteligjencës ushtarake ruse.
“Ai kontaktoi rusët të përfshirë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë", shtuan ata.
Ata thanë se Pawel K ishte ngarkuar me mbledhjen e informacionit në lidhje me sigurinë në aeroportin Rzeszow-Jasionka në Poloninë juglindore.
Zelensky kishte kryer disa udhëtime jashtë vendit që kur ka nisur lufta në Ukrainë, duke përdorur këtë aeroport.
Zyrtarë të tjerë të huaj, si presidenti amerikan Joe Biden, kanë kaluar tranzit përmes aeroportit në rrugën e tyre për në Ukrainë. V
Vitin e kaluar, autoritetet polake thanë se kishin arrestuar një grup shtetasish të huaj nën dyshimin se kishin spiunuar për Rusinë. Ata u raportuan se kishin instaluar dhjetëra kamera, duke përfshirë disa rreth aeroportit Rzeszow-Jasionka.
Ndërkaq, të enjten, Gjermania arrestoi dy spiunë të dyshuar rusë nën dyshimin se planifikonin të sabotonin ndihmën ushtarake gjermane për Ukrainën.