Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi ka arrestuar një të dyshuar lidhur me vrasjen e gjeneralit të ushtrisë ruse të premten në Moskë, nëpërmjet bombës së vendosur në veturën e tij.
Në agjencinë kryesore hetimor ruse bënë të ditur se i arrestuari është 42-vjeçari Ignat Kuzin, për të cilin besohet se ka qenë agjent i shërbimeve ukrainase.
Atentati i të premtes është sulmi i dytë ndaj një oficeri të lartë të ushtrisë ruse në katër muajt e fundit e për të cilin zyrtarë në Moskë kanë fajësuar Kievin zyrtar.
Gjenerallejtënanti i vrarë, Yaroslav Moskalik, ka qenë zëvendësdrejtor i departamentit operacional në Shtabin e Përgjithshëm të forcave të armatosura ruse.
Ai është vrarë nga një pajisje shpërthyese e vendosur në veturën e tij në Balashikha, jo shumë larg kryeqytetit.