Ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, është arrestuar nga autoritetet në aeroportin ndërkombëtar të Manilas të martën, pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), nën akuzat për krime kundër njerëzimit, transmeton agjencia e lajmeve AP.
Duterte ishte arrestuar pasi kishte arritur nga Hong Kongu dhe Policia e ka dërguar në mbajtje me urdhrat e GJNP-së, e cila ka qenë duke hetuar vrasjet në masë që kishin ndodhur në kohën sa Duterte ishte president në vitet 2016-2022.
Zyra e presidentit aktual, Ferdinand Marcos Jr, ka thënë se Duterte u përfshi në një fushatë vdekjeprurëse kundër trafikut të drogës, ku humbën jetën edhe civilë të pafajshëm.
Qeveria ka thënë se gjendja shëndetësore e Dutertes, 79-vjeç, është stabile dhe se ai është ekzaminuar nga doktorët.
Duterte po dërgohet në Hagë pas arrestimit për krime kundër njerëzimit
Një aeroplan me ish-presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte, është larguar nga Manila, disa orë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar një urdhërarrest ndaj tij, me akuzën për krime kundër njerëzimit për "luftën e tij kundër drogës" e cila ka shkaktuar shumë vdekje.
79-vjeçari është arrestuar nga policia pak pasi ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit nga Hong Kongu mëngjesin e së martës, raporton BBC.
Presidenti aktual, Ferdinand Marcos Jr ka konfirmuar se Duterte ishte larguar nga hapësira ajrore e Filipineve, gjatë rrugës për në Hagë në Holandë, ku është selia e ICC-së.
Më herët, vajza e tij Sara, e cila është shprehur se do ta shoqëronte babanë në Hagë, ka thënë se ai po dërgohej “me forcë” atje.
Duterte nuk ka kërkuar falje për goditjen e tij brutale kundër drogës, e cila ka lënë mijëra njerëz të vrarë kur ai ishte president i kombit të Azisë Juglindore nga viti 2016 deri në 2022, dhe kryebashkiak i qytetit Davao më parë.
Pas arrestimit të tij të martën, ai ka vënë në dyshim bazën e urdhërarrestit, duke pyetur: "Çfarë krimi (kam) kryer?" në një video të postuar në internet nga vajza e tij Veronica Duterte.
“Nëse kam kryer një mëkat, më procedoni në gjykatat filipinase, me gjyqtarë filipinas dhe unë do ta lejoj veten të burgosem në vendin tim”, ka thënë ai në një video të mëvonshme.
Në përgjigje të arrestimit të tij, në emër të tij është ngritur një peticion në Gjykatën e Lartë, duke u kërkuar atyre që të mos përmbushin kërkesën.